Më shumë se 4 mijë efektivë policie në të gjithë vendin kanë munur të vaksinohen me vaksinën Sinovac. Procesi i vaksinimit vijon që prej ditës së shtunë, ndërsa në Tiranë ky proces ka përfunduar për rreth 2 mijë efektivë policie.
Këta janë efektivë të policisë që sapo kanë marrë vaksinën. Në duar mbajnë edhe kartelën, me të cilën duhet të kthehen pas dy javësh, në mënyrë që të marrin dozën e dytë.
Përgjatë katër ditëve të para të vaksinimit të punonjësve të policisë, pjesëmarrja ka qenë masive. Në Tiranë janë vaksinuar nga 500 efektivë në ditë, ndërsa ky proces pritet të përmbyllet deri ditën e enjte.
Vaksinimi ka filluar paralelisht edhe në rrethe, ndërsa janë rrethë 2 mijë punonjës policie në drjetoritë e rretheve që deri tani e kanë mbyllur procesin. Kryesisht, Policia e Shtetit është vaksinuar me vaksinën kineze “Sinovac”, por nuk ka munguar edhe vaksinimi me atë ruse, “Sputnik V”.
Procesin e vaksinimit të punonjësve të Policisë së Shtetit, nga afër, e ka ndjekur edhe Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi. Ky i fundit e cilësoi të rëndësishëm këtë moment për policinë, për shkak edhe të angazhimit që ka patur përgjatë gjithë panedemisë.












