TIRANE - Kryeministri Edi Rama ka publikuar me foto disa raste të bllokimit të bizneseve që abuzonin me ligjin, denoncimet për të cilat janë bërë nga qytetarët përmes aplikacionit "Stop Informalitetit". Kreu i qeverisë ka postuar në rrjetin social Facebook, fotot nga bizneset e bllokuara, ku shkruan se ka pasur raste jo vetëm të subjekteve që kanë abuzuar, por edhe të inspektorëve të cilët kanë bërë raporte fiktive. Shefi i mazhorancës thotë se ata kanë marrë ryshfet për të mos i denoncuar këtë raste, apo se nga dembelizmi i kanë plotësuar raportet pozitive nëpër kafene, kur në të vërtetë siç kanë dëshmuar denoncimet e qytetarëve, subjektet në fjalë kanë qenë me shkelje.
Subjektet e mbylluara nga inspektorët tatimorë pas denoncimeve të marra në aplikacion, janë kryesisht në zonën e plazhit në Durrës, në lagjen "Pavarësia"
"Ja disa nga rezultatet konkrete të denoncimeve të qytetarëve (kjo është vetëm një zonë) në luftën e përbashkët kundër informalitetit.
Dhe më e mira e kësaj pune është se goditen abuzuesit dhe zbulohen edhe inspektorët abuzues, që bëjnë raporte fiktive nga kafenetë, për rryshfet a për dembelizëm - “Një gur që vret dy zogj"
Aplikacioni STOP INFORMALITETIT gjendet në App Store", shkruan kreu i qeverisë.