Memorie.al publikon historinë e panjohur dhe të bujshme të ndodhur në qytetin e Tiranës në 1942-in, kur gueriljet komuniste kryen aksionin e rrëmbimit të vajzës 12 vjeçare të Shefit të Policisë së Tiranës, Man Kukaleshit, të cilën e strehuan në një bazë të tyre në Rrugën Fortuzi, duke i bërë presion të atit të saj, që të lironte nga burgu, komunistin Shyqëri Ishmi, që pritej të ekzekutohej nga italianët. Dëshmia e rrallë e Vanda Çoratit, lidhur me rrëmbimin e Bale Kukaleshit (fqinjë dhe miq shtëpie të Çoratëve), nga i vëllai i saj, Agroni me Tonin Jakovën dhe Sabaudin Gabranin (“Hero i Popullit”), të cilët e morrën atë zvarrë me forcë, duke e futur në një automjet “Miloçento”, që e ngiste një shofer me pseudonimin “Sazani”. E gjithë kronologjia e asaj ngjarje që asokohe bëri bujë të madhe në Tiranë, duke alramuar kryeministrin Shefqet Vërlaci dhe Jakomonin, që nga paniku e tmerri që shkatoi në familjen Kukaleshi, hedhja e letrës nga Vanda Çorati në oborrin e Kukaleshëve, akuzat e Man Kukaleshit ndaj Agron Çoratit se ai kishte gisht në atë punë, kërcënimi i xhaxhait të vajzës, Qazimit, se do pushkatonte 100 komunistë, strehimi i vajzës në bazën te Rruga Fortuzi, ku ajo njohu nga zëri fqinjin e shtëpisë së tyre, urdhëri për lirimin e vajzës dhe kthimi i saj në shtëpi, akuzat dhe kërcënimi i Agron Çoratit ndaj Enverit vetëm dy tre ditë pas atij aksioni, ku u vra Vojo Kushi te Kodra e Kuqe, dërgimi i Çoratit “me shërbim” në Korçë, ku ai u rrezikua të vritej nga italianët, kthimi i tij në Tiranë dhe denoncimi që ai i bëri Partisë Komuniste me anë të një trakti ku e akuzonte atë për terrorizëm, largimi i tij me studime në Austri, kthimi në 1947-ën dhe kalvari i gjatë i dy vëllezërve dhe dy motrave Çorati, në burgje e internime
“Aty nga viti 1942 kur italianët kishin arrestuar Shyqëri Ishmin dhe pritej ekzekutimi i tij, mua më thirri vëllai im, Agroni dhe më tha se do të bënim një aksion për rrëmbimin e vajzë 12-vjeçare të Man Kukaleshit, shefit të Policisë të Tiranës, me të cilin ne kishim hyrje-dalje familjare dhe ishte komshiu ynë. Pasi Agroni më dha detyrat që unë duhet të kryeja në atë aksion, aty në të errur, unë i thashë Bales që të merrte gjymat dhe të shkonim për të mbushur ujë tek Bajat e Demnerëve në Pazarin e Ri, ashtu siç shkonim zakonisht mbrëmjeve ku merrnim ujin e pijshëm. Kur unë me Balen morëm gjymat dhe po dilnim në rrugën që të çonte tek Pazari, aty i bëra me shenjë Tonin Jakovës që doli nga vetura “Miloçento”, ku prisnin dhe Sabaudin Gabrani me shoferin, që e kishte pseudonimin “Sazani”. Sa u afruam aty, Tonin Jakova i tha Bales: ‘Hajde se të do Tata në zyrë’ dhe e tërhoqi me forcë duke e marrë zvarrë dhe e hypi në veturë”.