Policia ka sekuestruar në Dibër, gjatë një kontrolli "blic", një sasi lënde plasëse. Dinamit, fitil zjarrpërcjellës dhe kapsolla detonatore janë zbuluar në ambientet e një lokali. Në prangat e policisë ka rënë Njazi Pilafi, 52 vjeç, banues në Peshkopi, pronar i lokalit.
Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e magazinës së lokalit të tij në qytetin e Peshkopisë, u gjetën të fshehura dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 7 copë kallëpe me lëndë plasëse (me nga 400 gram secila, gjithësej 2 kilogramë e 800 gramë), 58 copë kapsolla detonatore si dhe rreth 4 metër fitil zjarrpërcjellës.











