TIRANE - Protesta studentore hyn sot në ditën e saj të shtatë. Edhe pse e hëna e sotme është ditë pushimi për punonjësit e administratës për shkak të 8 dhjetorit, Ditës së Rinisë, një gjë e tillë nuk do të jetë për studentët. Një ditë para tubimit masiv të paralajmëruar për të martën, studentët kanë dalë në protestë edhe sot. Grumbullimi i studentëve të Tiranës nisi si gjithmonë nga sheshi "Nënë Tereza" nga ora 08:30 deri në 09:30. Më pas ata vazhduan marshimin drejt Ministrisë së Arsimit duke ndjekur rrugën e zonës së ish-Bllokut dhe duke shmangur sërish Bulevardin qendror të kryeqytetit, përpara Kryeministrisë.
Protestës i janë bashkuar edhe studentë nga universitetet e rretheve. "Studentë, ata duan të hiqni dorë - bashkohuni nesër më të fortë se kurrë", thuhet në njoftimin e shpërndarë në rrjetet sociale. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka ftuar studentët në një bashkëbisedim live në Facebook në orën 11:00 të paradites së sotme.











