TIRANË - Qarqet e Tiranës, Durrësit e Lezhës ndodhen ende në gjendjen e jashtëzakonshme pas tërmetit të 26 nëntorit që la pas 51 viktima, qindra të plagosur e me mijëra pa banesa nga dëmet e shumta që godinat pësuan.
Ministri Bledi Çuçi, Drejtues Qendror i Operacionit për Menaxhimin e Fatkeqësisë Natyrore, teksa shprehu ngushëllimet për familjarët që humbën njerëzit e zemrës në këtë fatkeqësi dhe falenderoi të gjitha forcat nga vendi dhe jashtë shtetit që u bënë një për të ndihmuar Shqipërinë, bëri një bilanc të mobilizimit të qeverisë e cila është angazhuar për rindërtimin e gjithçkaje të rrënuar.
Faza e parë e procesit të vlerësimit të dëmeve ishte pikërisht ajo e evidentimit të objekteve që duheshin shembur ose që duhen shpallur të pabanueshme përkohësisht. Deri më tani janë inspektuar mbi 14 mijë objekte, ndërsa nga to, 44 janë shembur, kryesisht në qarkun e Durrësit,
"Mbi 100 grupe inspektimi kanë verifikuar banesat e dëmtuara nga tërmeti në të gjithë qarkun Durrës, Tiranë e Lezhë. Në përbërje të këtyre grupeve kemi angazhuar 500 inxhinierë vendas dhe 81 ekspertë e inxhinierë konstruktorë nga 11 vende partnere", tha ministri.
Sa i përket inerteve të godinave të shembura që u shpallën të pabanueshme dhe të rrezikshme, Çuçi tha se brenda datës 25 dhjetor, këto inerte do të depozitohen në fushën në Porto Romano, si pjesë e projektit për krijimin aty të një parku të madh urban bregdetar.