Në vitin 1963, kur poeti Trifon Xhagjika pushkatohet në moshën 31-vjeçare nga diktatura, Dritëro Agolli, miku i tij dhe mik i ngushtë i të vëllait Ylli Xhagjikës, nuk i zhduku librat e atij nga biblioteka.
Askush nuk do të guxonte t’i mbante në atë kohë reliket e një të pushkatuari nga diktatura, madje që kishte edhe një vëlla të burgosur politik. Por ato kanë qëndruar pa e ditur njeri, plot 56 vjet në shtëpinë e Dritëro Agollit. Bëhet fjalë pikërisht për librat për të cilat u dënua Trifon Xhagjika, të shkruara në vitin 1959, “Gjurma” dhe “Atdheu është lakuriq”, libri për të cilin iu bë edhe gjyqi.
“Vëllezër-
Po e kërkuat Atdheun, e kam unë.
Ndihmomëni të qesh.
Ndihmomëni të gëzoj.
Atdheu është lakuriq!”
Këto janë disa nga vargjet-shprehje e plotë e disidencës kundër instalimit të diktaturës në Shqipëri- që i shkruante në vitet ’60 poeti Trifon Xhagjika.
Elona Agolli, e bija e shkrimtarit të madh Dritëro Agolli, pas vdekjes së tij, zbulon bashkë me librat e fshehur në biliotekë edhe një dorëshkrim të panjohur të vitit 2002, të cilën Dritëro Agolli në atë kohë i sëmurë, e ka shkruar me dorën që i dridhet.
Përmes këtij dorëshkrimi që botohet për herë të parë në “Shqiptarja.com” zbulohen sekretet e rrezikshme për kohën e diktaturës dhe arsyet se pse shkrimtari më i madh i vendit që zbatonte parimet e sistemit komunist, i ruajti gjatë gjithë jetës librat e Trifon Xhagjikës dhe kujtimet për të dhe të vëllain Ylli Xhagjika, që e kishte edhe mjek të familjes. Ylli Xhagjika, vëllai i Trifonit, i diplomuar për doktor Shkencash në Mjekësi, është arrestuar vetëm disa orë para pushkatimit të të vëllait. Dëshmitarët e kohës kanë treguar se ndërsa gjyqi mbaroi dhe Trifoni po përcillej në makinë, i lidhur për t’u pushkatuar, ky mjek hoqi kapelen dhe e përshëndeti vëllain, duke i kërkuar të ngrejë kokën lart. Këtë shpreheje të madhe të guximit të Ylli Xhagjikës, e përmend mes të tjerash edhe vetë Dritëro Agolli në dorëshkrimin e tij.












