Piktori dhe skulptori Miço Mone çeli në Verona të Italisë ekspozitën “Shpirti lakuriq”. Në 30 vepra në qeramikë, 21 piktura në vaj si dhe disa vepra në mermer e bronz të ekspozuara në kishën “San Pietro Incarnario” artisti transmeton në pikturën e skulpturën e tij ide pozitive dhe humaniste, për të zbuluar botën e brendshme të njeriut dhe dashurinë e tij për të bukurën. Artisti i lindur edhe rritur në Divjakë në një intervistë për ReportTV rrëfen ecejaket e tij në pikturë, që nga fillesat, tek këmbëngulja e tij, që përpos frekuentimit të degës “Bio-kimi” dhe takimet me artistë në studio, tek ekspozitat dhe autocensura gjatë regjimit komunist, e më tej tek ëndrra e kahershme për të ekspozuar një ditë edhe në Shqipëri.
Mendimi ka lindur para vitit 2012, për të cilin fillova dhe realizova 30 skulptura në terakotë, për një periudhë relativisht të shkurtër. Nga këtu kisha gati vetëm projektin, por më duhej të realizoja po aq piktura e të hapja një ekspozitë që ti përgjigjej ekzigjencave të mia në lidhje me të bukurën, atë të shpirtit puro, pa truke, nudo, që konsumizmi i kohës tonë gati e ka braktisur. Skulpturat e përfunduara më shtynin shpesh para kavaletit që të realizoja në pikturë pjesën tjetër të ekspozitës, sepse mezi prisja ta publikoja këtë leitmotiv fishekzarësh, që ngjallë në ndjenjat e çdo kujt e bukura, trajtuar keq nga sindroma e kohës, ajo e fitimit.











