Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai rus, Vladimir Putin, janë takuar mesditën e sotme në Helsinki të Finlandës. Dy presidentët pritet të zhvillojnë një samit i cili do të konkretizohet me një marrëveshje, që siç e paralajmëroi Trump, do të jetë e “jashtëzakonshme”.
Trump tha se marrëdhëniet me Rusinë s’kanë qenë kurrë kaq keq, dhe kjo për faj të paraardhësve të tij në Shtëpinë e Bardhë.
Pak para takimit, Trump shkroi në Tëitter, dhe tha se hetimi për ndërhyrje ruse në zgjedhjet e vitit 2016 është një sajesë dhe se sipas tij, ky ishte një “budallallëk” i udhëheqësve amerikanë.
Ministria e Jashtme ruse u përgjigj duke thënë “Ne jemi dakord”.
Në Helsinki po pritet me kureshtje, rezultati i takimit mes Trump dhe Putin. Marrëdhëniet mes dy vendeve u acaruan që në aneksimin e Krimesë në vitin 2014.
Ky samit vjen pas akuzave se 12 oficerë të shërbimeve inteligjente ruse ndërhynë në zgjedhjet amerikane. Trump-it, madje iu kërkua në SHBA që të anulonte takimin, por ai nuk iu kushtoi rëndësi.











