Forcat e Armatosura dhe mundësitë për të bërë karrierë në to, do të jenë më në vëmendje të të rinjve shqiptarë. Ministria e Mbrojtjes nisi nga Fieri fushatën e orëve të hapura të mësimit në shkollat e mesme të vendit, me qëllim njohjen e të rinjve me mundësitë që Forcat e Armatosura ofrojnë për t’u punësuar, studiuar dhe shërbyer vendit.
Në çeljen e fushatës në shkollën e mesme “Perikli Ikonomi” në Fier, mori pjesë edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila fillimisht vlerësoi punën e Forcave të Armatosura, edhe pse shpeshherë të padukshme.
Duke folur për shanset që Forcat e Armatosura ofrojnë për punësimin dhe arsimimin ushtarak, ministrja Xhaçka i ftoi të rinjtë fierakë që janë në fazën e përzgjedhjes së karrierës, të marrin në konsideratë mundësinë për të shërbyer në uniformë.












