Një aksident tragjik që ka lënë pas një viktimë ka ndodhur në aksin Elbasan -Tiranë. Viktimë ka mbetur shoferi i automjetit tip Seat i cili dyshohet se ka bërë një parakalim të gabuar dhe si pasojë është përplasur me një kamion. Gjate nates viktima u identifikua si Elton Maçolli, 42 vjec, vellaj i deputetes se partise socialiste, Blerina Gylameti. Automjeti me targat AA 209 AR, me të cilin po lëvizte viktima ka qenë i modifikuar dhe punonte me benzinë-gas, gjë që ka bërë rrjedhjen e gazit pas përplasjes dhe më pas shpërthimin në flakë.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se automjeti tip Seat është gjetur me dyert e tavanin hapura nga shpërthimi, ndërsa viktima është transportuar drejt morgut të Elbasanit. Report Tv ka mundur të sigurojë pamjet nga vendi i ngjarjes ku automjeti tip Seat duket i shkatërruar plotësisht nga shpërthimi ne flake i gazit. Ndërkohë policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe po heton në lidhje me zbardhjen e plotë të shkaqeve të këtij aksidenti.