11 maj 1959. Takim me ambasadorin sovjetik. Më dha lajmin se Hrushovi do të vijë në Shqipëri.
12 maj 1959. Sot në mbledhjen e Byrosë Politike u diskutua mbi projektprogramin për vizitën që do të bëjë në Shqipëri delegacioni i partisë dhe i qeverisë sovjetike. Prita A. Kosiginin. Ka ardhur në Shqipëri për të marrë pjesë në sesionin e 11-të të KNER-it që do të zhvillohet në Tiranë. Filloi mbledhja e KNER-it.
13 maj 1959. Takim me ambasadorin e jashtëzakonshëm e fuqiplotë të Bashkimit Sovjetik, Ivanovin, lidhur me vizitën që do të bëjë Hrushovi në Shqipëri.
19 maj 1959. Takim me Ivanovin. Më dorëzoi një radiogram të Hrushovit, ku, si kusht për vizitën e tij të ardhshme në Shqipëri, na kërkon që as ai, as ne gjatë fjalimeve publike të mos e prekim fare çështjen e revizionizmit jugosllav. Ja gjer ku paska arritur puna! Kërkon të na mbyllë edhe neve gojën! Kërkova menjëherë ta shtrojmë problemin në Byronë Politike e t’i japim përgjigje mysafirit që presim të na vijë. Pasi diskutuam për radiogramin e Hrushovit, vendosëm që ta pranojmë kushtin e tij (të mos flasim për Titon gjatë ditëve të vizitës së tij në Shqipëri). Titon dhe ata që mendojnë e veprojnë si Titoja, le t’i gënjejë mendja. Por, me të ikur Hrushovi, ne do t’i lëshojmë përsëri bateritë kundër revizionizmit modern.











