FOTO/Kapet 1 ton kokainë me Logo ‘CR7’ në Spanjë, arrestohen 2 shqiptarë, sekuestrohen 1.5 mln euro

30 Prill 2018, 13:28

MADRID-Policia spanjolle në bashkëpunim me DEA-n amerikane kanë goditur një bandë që drejtohej nga shqiptarët duke sekuestruar 1 ton kokainë dhe 1.5 mln euro. Policia ka arrestuar 5 persona, 2 shqiptarë, 2 spanjollë dhe një kolumbian.

Lënda narkotike transportohej nga Kolumbia në drejtim të Spanjës me avionë të vegjël me fluturime çarter. Transporti bëhej i kamufluar sikur ishin një kompani që ofronte transport. Droga ishte e ndarë në 790 pako me kokainë dhe transportohej në valixhe të mëdha të zeza. Droga ishte markuar me logon ‘CR7’, një shkurtim që përdoret nga lojtari i famshëm i Realit të Madridit, Cristiano Ronaldo.

Sipas autoritete spanjolle, hetimi filloi nëntorin e kaluar, grupi kriminal e kishte bazën në Shqipëri. Pas hetimeve rezultoi se kokaina në Spanjë futej nga banda shqiptare me fluturime çarter nga Kolumbia.

Agjentët spanjollë zbuluan se krerët e grupit kriminal kishin krijuar një bazë në Spanjë për të shpërndarë drogë më pas në të gjithë Europën. Përveç drogës dhe 1.5 mln eurove cash që do të bëheshin për pagesën e transportit janë sekuestruar edhe pesë makina luksoze, karta telefonike dhe pajisje të tjerë që përdorte banda shqiptare.