HAS - Report Tv mëson se është zbuluar një laborator heroine në Has. Burime për Report Tv bëjnë të ditur se laboratori ishte ngritur në një zonë periferike të Hasit, në fshatin Brenog brenda dy kapanoneve që përdoreshin si stallë për bagëtitë. Ndërhyrja është bërë mëngjesin e sotëm nga RENEA dhe FNSH, por Policia e Shtetit ende nuk ka dhënë detaje për këtë zhvillim duke e mbajtur atë sekret. Në laborator është gjetur një sasi e konsiderushme lënde opiumi, e cila është baza për prodhimin e heroinës, një prej drogave më të forta.
Report Tv sjell pamjet ekskluzive nga magazina ku prodhohej heroina, pranë një shtëpie banimi. Në banesë jetonin prindërit e pronarit të laboratorit, i cili është shpallur në kërkim nga policia. Prindërit janë shprehur përpara policisë se nuk kishin dijeni për aktivitetin e djalit të tyre pak metra larg shtëpisë, në dy magazina. Siç duket edhe nga pamjet, janë dy kapanone të kthyer në laborator heroine. Gjatë këtij operacioni janë arrestuar pesë persona, V .B, F C, XH.SH, M.SH dhe A.SH.
Operacioni është në vijim dhe priten të tjera arrestime orët në vijim. Hetimet për zbulimin e fabrikës së heroinës në Has kanë nisur disa muaj më parë, në bashkëpunim me agjencitë partnere. Operacioni është kryer sot nga RENEA, FNSH dhe agjentë të DEA-s amerikane.
Një banor i fshatit Bregon ka thënë për Report Tv se brenda këtij laboratori policia ka gjetur rreth 100 kg drogë, e cila besohet se është e llojit heroinë. Po sipas të njëjtit, agjentët që kanë marrë pjesë në operacion kishin mbishkrime 'DEA', çka lë të kuptohet se operacioni është zhvilluar nga agjentë amerikanë të antidrogës.