Në dy seancat e fundit të GJKKO, ku po zhvillohet gjyqi në themel i çështjes për Erion Veliaj, avokati i tij mbrojtës, Plarent Ndreca ka ngritur shqetësimin se procesi ndaj kryebashkiakut të Tiranës është ngritur mbi disa prova të pahapura nga vetë gjykata.
Sipas tij, bëhet fjalë për 35 fashikuj me prova digjitale (CD/USB), të cilat nuk janë hapur dhe nuk janë vlerësuar as nga gjykata e seancës paraprake. Pra, gjykata paraprake e ka kaluar formalisht çështjen e Veliajt për t’u gjykuar në themel, pa i hapur dhe pa i parë të gjitha provat, në kundërshtim me çdo praktikë ligjore.
Fjala është pikërisht për këto prova që shikoni në foto, të cilat janë të vulosura, ta pahapura dhe ende të mbyllura në zarfin me të cilin janë dërguar nga prokuroria në gjykatë.
Nisur nga kjo situatë e paprecendentë, avokati Ndreca i kërkoi sot gjykatës që këto prova të mos preken pa prezencën e mbrojtjes së Veliajt.










