Uzina e Ferro-kromit në Burrel po njeh një transformim të jashtëzakonshëm me një ndikim të madh ekonomiko-social për zonën, po të kihet parasysh gjendja e saj e mjerueshme deri 6 vjet më parë.
Në fakt, kur AlbChrome e mori në dorëzim këtë uzinë në vitin 2012 nga kompania private e mëparshme, ajo e kishte ndërprerë totalisht aktivitetin dhe për punëtorët dukej se nuk do të kishte më asnjë perspektivë.
Por tani, AlbChrome ka nisur studimin dhe po sheh seriozisht mundësinë e investimit në një furrë të tretë në uzinë, që do të ndikojë ndjeshëm në rritjen e eficencës dhe të prodhimit të ferrokromit, por padyshim edhe në punësim dhe në rritjen ekonomike të zonës.
Në fakt, pritet që ky investim të jetë rreth 10 milionë euro dhe të hapë të paktën 100 vende të reja pune. Drejtuesit e AlbChrome shprehen se ekzistojnë të gjitha gjasat që së shpejti ky investim të bëhet realitet.
Pritet që ai të ketë ndikim të madh për zhvillimin ekonomik të kromit shqiptar, që sigurisht do të ndryshojë jetesën dhe mirëqenien për qindra familje në Bulqizë, Klos, Burrel dhe Elbasan, por jo vetëm.
Albchrome, nisi menjëherë të investonte në uzinë që me blerjen e shoqërisë së mëparshme private, duke zbatuar një plan që kishte si qëllim riakitivizimin e gjithë objekteve që deri në atë moment ishin lënë në konservim.