TIRANE - Bashkia e Tiranës ka hapur edhe këtë vit kampe verore për fëmijët, si një alternativë për të kaluar ditët e nxehta, në mënyrë sa më aktive dhe argëtuese. Kampet verore për fëmijët janë hapur në të gjitha shkollat komunitare në kryeqytet. Përveç argëtimit përmes lojërave të ndryshme dhe aktiviteteve festive, fëmijët kanë mundësi që të trajtojnë dhe të diskutojnë në grup çështje dhe problematika që shqetësojnë këtë grupmoshë në jetën e përditshme, shkollë, familje dhe në komunitet.
Një nga këto kampe verore është edhe ai i ngritur në Qendrën Komunitare Shkozë, në të cilin janë regjistruar shumë fëmijë nga komuniteti rom, por edhe fëmijë të tjerë. Kampi veror drejtohet nga 3 mësues edukator, një psikolog, si dhe një animator special. Në ndihmë të tyre janë edhe disa vullnetarë nga qendra AESEC, të cilët vijnë nga vende të ndryshme të botës.
Në këtë kamp fëmijët merren me pikturë, kanë kurs muzikor, ekip futbolli, kënde lojërash brenda dhe jashtë kampit, salla leximi, bibliotekë, dhe lodra.
Fëmijët që praktikohen në pikturë kanë fituar disa çmime në konkurse në të ndryshme, ndërsa ekipi i futbollit ka marrë kupën në ballafaqimet me bashkëmoshatarët e tyre në kampe të tjera verore. Në këtë qendër fëmijët kanë mundësi që të konsumojnë edhe një vakt dreke, të cilën e ofron Qendra Komunitare.











