Në 24 orët e fundit janë realizuar tre operacione antidrogë ku janë sekuestruar një sasi prej 11.2 kg kanabisi si dhe 40 doza. Gjatë këtyre operacioneve agjentët e policisë arrestuan 5 persona.
Në Tiranë, shërbimet e “Forcave Shigjeta” gjatë kontrolleve të zhvilluara në kryeqytet arrestuan 2 persona si dhe sekuestruan 40 doza kanabisi. Në rrugën “Pandi Dardha”, “Shigjetat” në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, prangosën M.B., 15 vjeç, pasi gjatë kontrollit në trup iu gjetën 32 doza kanabisi.
Ndërkohë pas kontrollit të një automjeti të tipit 'Skoda' në rrugën “Lord Bajron”, shërbimet e “Forcës Shigjeta” zbuluan 8 doza kanabisi si dhe arrestuan drejtuesin e automjetit Erin Koçiaj 21 vjeç. Policia nisi procedim në gjendje të lirë edhe për E.B., 22 vjeç me akuzën e “Moskallëzimit të krimit” i cili ishte pasagjer në automjetin tip 'Skoda'.
Në fshatin Cakran në Fier, pas një informacioni të marrë në rrugë operative efektivët e rendit arrestuan 27-vjeçarin Durim Korçari. Pas kontrollit në banesën e tij, policia zbuloi një sasi prej 5 kilogramë kanabisi.
Droga ishte e ndarë në 5 pako të mbështjella me letër alumini në formë drejtkëndore. Sipas hetimeve të policisë lënda narkotike dyshohet se po përgatitej të trafikohej në shtetin fqinjë, Greqi.