Memorie.al publikon disa pjesë nga studimi i panjohur i albanologut të famshëm gjerman, Johann Gerog Von Hahn, i cili për herë të parë u publikua në vitin 1943 nga revista periodike “Leka”, që dilte në Tiranë, me titullin: “Shqipnija tash njëqind vjet”. Nga hulumtimet e studimet e shumta të bëra për Shqipërinë, të cilat rrokin që nga gjysma e dytë e shekullit XVIII dhe dhjetë dekada më pas, autori gjerman ka përshkruar me hollësi gjithë situatën ekonomike, gjeopolitike dhe tregtare ku gjendej vendi ynë në atë kohë.
Edhe pse ndodhej në skajin më të largët të Perandorisë Osmane, dhe një ndër vendet më të prapambetura dhe më të pazhvilluara të saj për më shumë se 500 vjet me radhë, për vetë pozicionin gjeo-politik e strategjik ku ndodhej, me kryqëzimin e rrugëve tregtare, portet dhe limanet e saj në hapësirat ujore që nga veriu në jug, pasuritë e shumta minerare, artizanatin, pemëtarinë, fruti-kulturën, bujqësinë, blegtorinë etj., Shqipëria ishte dhe mbetej një vend që paraqiste vazhdimisht interes për të huajt. Kjo gjë, veç të tjerash, shihet më së miri edhe nga një studim i historianit dhe albanologut të famshëm gjerman, Johann Georg Von Hahn, i cili pas hulumtimeve të shumta bërë vite me radhë, në librin e tij me titull “Shqipnia tash njëqind vjet”, ka pasqyruar me detaje dhe hollësira të gjithë situatën ekonomiko-politike të Shqipërisë, që nga gjysma e dytë e shekullit XVIII dhe dhjetë dekada më pas. Nga ai libër, pjesë të të cilit u botuan fillimisht në vitin 1943 nga revista periodike “Leka” që dilte në Tiranë, ne kemi përzgjedhur disa pjesë që po i botojmë më poshtë në këtë shkrim, duke i përshtatur ato në gjuhën e sotme.












