Makina e modelit Lotus, ngjyrë portokalli që ai ka ndërtuar 10 vite më parë, nuk ka një markë.
Kadri Manaj mendon të çelë kompaninë e parë shqiptare të ndërtimit të automjeteve artizanale. Ai është tek të 30-at dhe makinën e parë artizanale ka nisur ta ndërtojë në moshën 13-vjeçare.
Sëbashku me shokun e tij të ngushtë Oltin, çdo fundjavë, më këmbë a me biçikletë ata përshkonin 5 km deri sa mbërrinin në Plykë të Fierit ku i priste oazi i tyre i eksperimentit, një shtëpi përdhese me oborr me hapësirë të mjaftueshme ku dy adoleshentët larg zhurmës së qytetit prodhonin ëndrrat e tyre.
“Projekti i parë ka qenë me grup motorri, jo me grup makine”- kujton Kadriu, i qetë dhe i buzëqeshur, fjalëpak e ëndrrashumë.
“Ishte si një motor me katër rrota. Ishim shumë të vegjël dhe nuk kishim fuqi ta ngrinim motorrin e makinës. Prindërit e mi më mbështesnin me pjesën monetare. Mendonin se do të arrija diçka dhe iu pëlqente idea që merresha me diçka dhe nuk rrija lokaleve si shokët e mi. Harxhoja kohën me diçka të vlefshme.”- më rrëfen Kadriu.
Makina e parë u ka shkuar adoleshentëve 300-400 mijë lekë të vjetra. Pjesët i kishim të sajuara. Ngaqë ishim të vegjël, vijon bisedën ai, dhe nuk kishim shumë besim se do të bënim ndonjë gjë të madhe, nuk donim të shpenzonim shumë.











