“Arbënor i dashur, këtë gramatikën e shkrova për zotninë tënde”….. Edhe sot pas 4 shekujsh, kjo e shkruar e Andrea Bogdanit, që la amanet botimin e gramatikës shqipe, mund të transkriptohet lehtë në gjuhën e sotme shqipe. Janë qindra si këto dokumente që plotësojnë hendekun e atyre pseve për mungesën e shkrimit shqip gjatë pesë shekujve të pushtimit osman.
Për studiuesin Mark Palnikaj është fakt që; në pesë shekuj shkollat dhe gjuha shqipe janë në një vijimësi të pandërprerë. Ai argumenton me një seri dokumentesh në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” vijimësinë e tyre gjatë pesë shekujve nën sundimin osman, deri në 1905-n- kur u mor vendimi për çeljen e shkollave tërësisht në gjuhën shqipe. Osmanët e luftonin gjuhën dhe shkollën shqipe, por shqiptarët sakrifikuan dhe i mbajtën gjallë, duke u bërë ruajtës të identitetit tonë. Mark Palnikaj është aq entuziast pas zbulimit të çdo dokumenti që flet për çelje të shkollave shqipe që nga Shkodra, në Shkup, në Mal të Zi e deri në Prevezë; nga ‘500-a në ‘600-n e nga ‘700-a, në ‘800-n e 900-n. Por, dje, duke përshëndetur nga Vatikani, ku po kërkon arkiva të reja Mark Palnikaj tha: “Kam gjetur plot gjëra, por këtë herë jam mërzitur... sesa pak dimë për historinë tonë”. Ndërsa në intervistën për “Shqiptarja.com”, ai rrëfen për dokumente e shkolla të njohura e të panjohura, duke na tërhequr fort vëmendjen e duke e plotësuar mozaikun e njohurive mbi këtë temë.












