Memorie.al publikon historinë e panjohur të profesor Miftar Spahija, me origjinë nga Kolesjani i Kukësit, i cili u arratis nga Shqipëria që më 1946-ën dhe e kaloi të gjithë jetën si azilant politik në SHBA ku dhe morri titullin profesor duke dhënë mësim në Mansfield University të Pannsylvanias. Si u stërvit ai dhe shqiptarët e tjerë të arratisur në Llavros të Greqisë nga koloneli britanik Hill, kush ishin kosovarët që u dërguan me misione në Shqipëri dhe njerzit e Sigurimit të Shtetit që penetruan aty në mes eksponentëve antikomunistë….
Gjatë kohës që ne ndodheshim në kampet e Greqisë të cilat ishin hapur në bashkëpunim me aleatët anglo-amerikanë për azilantët poltikë të vëndeve të Europës Lindore, mërgata antikomuniste shqiptare u organizua prej britanikëve për futjen e grupeve të ndryshme diversioniste në Shqipëri. Të gjitha ato u bënë me mbështetjen e kolonelit britanik Hill, i cili shërbente pranë ambasadës angleze në Athinë. Unë personalisht jam takuar disa herë me Hillin në vitet 1950-‘51, kur ai vinte shpesh në kampin e Llavrosit dhe interesohej për të gjetur njerëz pranë mërgatës politike shqiptare që ishin në atë kamp, me qëllim për t’i nisur me mision në Shqipëri. Koloneli Hill na kërkonte bashkëpunim dhe ne ishim dakord për të dërguar grupe në Shqipëri.