Rrëfen se ka udhëtuar në mbi 117 vende të botës, në kërkim të bashkëpunimeve me muzikantët nga kultura krejtësisht të ndryshme nga ajo e veta. Përherë gjatë bashkëpunimeve shpalos një bum rezultatesh kompozicioni, duke ndërtuar ura muzikore mes kulturave që normalisht nuk arrijnë dot ta njohin njëra-tjetrën.
Ky është pianisti holandez Mike del Ferro, që për të katërtën herë merr pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Jazz-it në Shqipëri. Edicioni i shtatë i këtij festivali.
Me president Besim Petrelën dhe drejtor artistik Genti Rushin, ky festival ka sjell në Tiranë dhjetë grupe nga vende të ndryshme të botës, ku 28 artistë të huaj kanë mbërritur në Tiranë këtë javë. Kjo verë jehon me ritmet e muzikës Jazz, ku ky edicion ka startuar që nga mbrëmja e së martës edhe në Apoloni.
Edicioni i shtatë i festivalit do të vijojë me shfaqjet deri më 28 korrik. Grupe të tjera që do të perfomojnë në këtë festival festival janë Eldad dhe Zitrin nga Izraeli, trioja Allulli, Zanisti dhe Sferra nga Italia, nga Shqipëria është trio Gent Rushi, nga Belgjika në festival mbërrin trio Toine thys dhe Sa-Ni-Ti (Sarajevë-Nish-Tiranë) etj.
Ndërsa artisti holandez, Mike del Ferro, ka dhënë dje në mbrëmje një performancë të shkëlqyer, i shoqëruar nga artistja e re holandeze Kim Hoorweg.