Ndërron jetë në moshën 92-vjeçare Avni Mula, disa prej roleve të tij në Opera

1 / 9
2 / 9
3 / 9
4 / 9
5 / 9
6 / 9
7 / 9
8 / 9
9 / 9
29 Tetor 2020, 22:36

TIRANË - Kompozitori i shquar shqiptar, Avni Mula është shuar në moshën 92- vjeçare. Homazhet në nderim te tij bëhen nesër në orën 11:00 me 13:00 në hollin e Universitetit të Arteve.

Avni Mula u lind  në Gjakovë më 1928. Studimet e larta muzikore i kreu në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës (1952-1957), ku u diplomua si këngëtar lirik, bariton.

Gjatë studimeve u njoh dhe u martua me sopranon ruse Nina Mula. Karrierën artistike Avni Mula e nisi menjëherë pas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës, përmes së cilave u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikore-skenike.

Veçohen realizimet e figurës së Figaros te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, Gjetës tek “Mrika” e Prenk Jakovës, etj.

Avni Mula zhvilloi një aktivitet të pasur koncertal brenda dhe jashtë Shqipërisë. Veprimtarinë krijuese e nisi në gjysmën e dytë të viteve 60', fillimisht në fushën e këngës e të romancës dhe më pas si autor i veprave të mëdha vokale-koncertale, kantata, poema vokale dhe skenike, ku veçohen opereta “Karnavalet e Korçës” dhe opera “Borana”.

Firmën e tij mbajnë edhe shumë këngë të muzikës së lehtë, mes të cilave “Valsi i lumturisë”. Është babai i dy vajzave artiste, Adelinës pianiste dhe sopranos Inva Mula.

Avni Mula është vleresuar me titujt "Artist i Popullit" dhe "Nderi i Kombit".

r.k./Shqiptarja.com