TIRANE - Ka startuar para pak momentesh maratona e Tiranës, e cila tashmë prej tre vitesh ka nisur rrugën e krijimit të një tradite sportive në kryeqytet. Nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës dhe Federatës Shqiptare të Atletikës, më shumë se 2500 vrapues, 350 nga të cilët të huaj që vijnë nga 40 shtete të ndryshme, po sfidojnë veten në tre kategori të ndryshme, “We too”, “Half Marathon” (21, 0975 km) dhe “Tirana 10K”. Në fjalën e tij përpara nisjes së maratonës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ndërsa falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në këtë garë si dhe ata që e mundësuan atë, theksoi se ajo është një mundësi për të treguar që Tirana është një qytet që do progresin, sportin dhe jetën e shëndetshme.
E di që do të ketë shumë kompetitivitet, kanë ardhur disa sportistë profesionistë. Në fund fare, të gjithë e dimë, shpirti i maratonës, si ai ushtari i mirë i Athinës është të mbërrijë në destinacion dhe të themi që betejën e fituam. Suksese të gjithëve, jemi të gjithë fitimtarë në një qytet ku rrëzohemi dhe ngrihemi bashkë dhe jam i bindur që në fund fare të gjithë do përqafohemi si fitimtarë.
Erion Veliaj, kryetar i Bashisë së Tiranës
Ai theksoi se kjo maratonë ka një tjetër të veçantë pasi kurorat për fituesit kanë ardhur nga zona e maratonës në afërsi të Athinës, pikërisht aty ku ka lindur kjo garë.
Kjo është hera e tretë që ne organizojmë Maratonën e Tiranës. Kësaj here fituesit do të kenë dhe kurorat e Ullirit posaçërisht nga Maratona pranë Athinës, origjinale nga i njëjti vend ku nisi maratona dhe ku një luftëtar i Athinës pas betejës me Persinë vajti dhe vrapoi në qytet për 42 kilometra për t’i treguar qytetit që betejën e fituam. Ne sot duam t’i tregojmë qytetit që edhe ne do e fitojmë betejën tonë, për të pasur një qytet progresist, modern dhe dua të falenderoj të gjithë qytetarët që sot në mënyrë shembullore, jo vetëm në itinerarin ku zhvillohet maratona, pro në të gjithë qytetin nuk kanë përdorur makinat, duke e kthyer Tiranën realisht në një qytet pa makina. Faleminderit të gjithëve nga zemra dhe ndoshta herën e parë fillon duke lënë makinën, herën tjetër fillon duke marrë pjesë në Maratonë.
Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës
Kryetari i Bashkisë theksoi faktin se maratona e Tiranës është një ngjarje sportive ku garojnë jo vetëm sportistë, por edhe ku promovohen kauza të ndryshme shoqërore, siç është edhe ajo e njerëzve me aftësi ndryshe. “Kemi në fakt jo ndarje sipas kombesh, por kemi edhe ndarje sipas kauzave. Kemi shumë kauza sot. Një nga garat është gara e “We too” për të gjithë personat me aftësi speciale, ju japim një super duartrokitje atyre, kurajë dhe shumë fuqi si një qytet që është i aksesueshëm për të gjithë dhe që i pranon të gjithë. Ndërkohë që kemi disa kauza të tjera që pashë. Pashë që kemi një “Run for refugees”. A mund t’i japim një duartrokitje të gjithë kolegëve të “Run for refugees”? Janë atje mendojnë që hanë bukë veç, por në fakt hanë bukë me ne sepse edhe ne besojmë si ata që duhet të jemi një vend dhe një kontinent që refugjatët i trajton me respekt si një komb që e ka kaluar vetë këtë eksperiencë me emigracionin”, u shpreh kryetari i bashkisë.
Rrugët e bllokuara
Më herët, Bashkia e Tiranës informoi qytetarët për kufizimin e qarkullimit të automjeteve në disa segmente rrugore, ku do kalojë Maratona e Tiranës. Pjesë e planit të masave organizuese për mbarëvajtjen e maratonës është ndalimi i qarkullimit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rrugët “Abdi Toptani”, “George W. Bush”, “Rruga e Barrikadave”, “Urani Pano”, “Ded Gjo Luli”, “Rruga e Kavajës” deri te kisha “Katolike” dhe kthim, “Ibrahim Rugova”, “Lek Dukagjini”, si dhe segmentet hyrëse rruga “Myslym Shyri” nga kryqëzimi i Drejtorisë së Policisë deri në qendër, “Rruga e Durrësit” nga kryqëzimi me rrugën “Mine Peza” deri në qendër, Bulevardi “Zogu I” nga rruga “Dervish Hatixhe” deri në qendër, “Rruga e Dibrës” nga “Selvia” deri në qendër, rruga “Luigj Gurakuqi” nga sheshi “Avni Rustemi” deri në qendër, në datën 07 Tetor 2018, duke filluar nga ora 05:00 deri në orën 14:00.
Qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit që preket nga ky ndalim do të bëhet në “Unazën e Mesme”, përveç segmentit ura e “Drejtorisë së Policisë” deri tek “Rruga e Elbasanit”, rruga “Sami Frashëri”, rruga “Papa Gjon Pali II”, “Rruga e Elbasanit”, rruga “Vaso Pasha”, rruga “Myslym Shyri” deri tek rruga “Sami Frashëri”, rruga “Hoxha Tahsin” deri tek sheshi “Avni Rustemi”.
Aksesi hyrës për në rrugën “Skerdilajd Llagami” do të kryhet nga rruga “Faik Konica”, e cila do të kthehet provizorisht me dy sense lëvizjeje. Ndërkohë, lëvizja e mjeteve të transportit publik do të bëhet: “Rruga e Elbasanit” do të devijohet tek rruga “Arben Broci”; rruga “Hoxha Tahsin” do të devijohet tek sheshi “Avni Rustemi”; “Rruga e Dibrës” do të devijohet tek “Medreseja”; “Rruga e Kavajës” do të devijohet tek “Fabrika e Bukës”; bulevardi “Zhan D’Ark” dhe Bulevardi “Bajram Curri” do të devijohet tek ura e “Drejtorisë së Policisë” dhe tek ura e “Rrugës së Elbasanit”; rruga “Sulejman Delvina” do të devijohet te sheshi “Ëillson”; “Rruga e Durrësit” do të devijohet tek sheshi “Karl Topia” dhe Bulevardi “Zogu I” do të devijohet tek rruga “Dervish Hatixhe”.











