Nis panairi 'Shqipëria Punon Tokën', kryeqyteti kthehet në një fermë gjigande

0/13
16 Nëntor 2019, 14:30

Sheshi “Skënderbej”është kthyer një ferme gjigande në mes të Tiranës.

Nisi panairi “Shqipëria Punon Tokën”, eventi më i madh për bujqësinë dhe zhvillimin rural në Shqipëri.

Ky është edicioni i tretë i këtij panairi, i cili organizohehet nga Ministria e Bujqësisë dhe Bashkia Tiranë.

Pak pas hapjes së panairit, në shesh ishte edhe kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, si dhe kryebashkiaku Erion Veliaj.

Ata bënë një vizitë nëpër stendat e panairit, për të parë nga afër prodhimet bujqësore dhe për të takuar fermerët e ardhur nga i gjithë vendi.

Ministri Bledi Çuçi tha se ky panair është një ngjarje e madhe festive për bujqësinë shqiptare, agropërpunimin, akuakulturën e sektorin rural në tërësi, ku gjithashtu ftoi  qytetarët t’i bashkohen këtij panairi.

Ka një pjesëmarrje masive, jo vetëm të fermerëve dhe bizneseve agropërpunuese, por edhe të qytetarëve të Tiranës e mbarë Shqipërisë, që kanë ardhur sot për të festuar së bashku. Ju ftoj të vizitoni panairin, ta shijoni dhe të blini produkte shumë të mira Made in Albania. Ky është një panair 360 gradë, që ka një interes të jashtëzakonshëm nga qytetarët. Për dy ditë kemi sjell fshatin në mes të Tiranës”, tha ministri Çuçi.

Numri i pjesëmarrësve në këtë panair nga radhët e fermerëve, sipërmarrësve të agropërpunimit, agroturizmit, por edhe insitucioneve financiare që kreditojnë bujqësinë përllogaritet në rreth 400. Për herë të parë marrin pjesë edhe sipërmarrje nga vendet e rajonit.

Panairi “Shqipëria Punon Tokën” ka një program të pasur përgjatë dy ditëve, me aktivitete të shumta për të rriturit dhe fëmijët.

Atraksion më vete është edhe një fermë me kafshë të ndryshme e cila ndodhet në një hapësire të veçantë të sheshit “Skënderbej”, harta e Shqipërisë e vendosur në sipërfaqen e sheshit, si dhe një balonë e madhe që tërheq vëmendjen e të gjithëve.

Në mbrëmje do të ketë edhe një koncert nga kuarteti Peter Pan.