Kjo pranverë e gjen Njësinë 5 jo vetëm me infrastrukturë të përmirësuar, por njëkohësisht edhe me më shumë gjelbërim në të gjitha rrugët dhe lulishtet e saj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, mbollën 100 fidanë të rinj në Njësinë 5, zonë e cila tre vitet e fundit është transformuar plotësisht.
“Kjo është mënyra më e mirë për të nisur pranverën në Njësinë 5. Mbaj mend sfidat e fillimit: s’kishte mbaruar Rruga e “Kosovarëve”, sa kishte filluar Parku Olimpik, infrastruktura qoftë edhe këtu në lagjen “Shushica” apo te stadiumi ‘Dinamo’ linte për të dëshiruar. Sot jemi në një fazë krejt tjetër. Teksa po mbaron rrethrrotullimi i Komunës së Parisit, që stabilizon trafikun për gjithë njësinë, jemi duke shtuar pemët dhe gjelbërimin në të gjitha lulishtet e njësisë”, u shpreh Veliaj.
Ministri i Shtetit për Diasporën dhe njëkohësisht deputeti i PS, Pandeli Majko e cilësoi dhurimin dhe mbjelljen e pemëve për qytetin si një nga nismat më qytetare që ka trokitur në dyert e Tiranës. Ai theksoi se në kryeqytet po krijohet një kulturë e re, që po përqafohet nga qytetarët. “Në fillim të viteve ’90, njerëzit i prisnin pemët rrugëve edhe për revoltë ndaj të ashtuquajturit rregull; ishte diçka shumë dëshpëruese. Por, është interesante që njerëzit po kthehen në një kulturë tjetër, jo të prerjes së pemëve, por të mbjelljes së pemëve. Mendoj se nisma është e jashtëzakonshme, pavarësisht se ka pasur si zakonisht cinikë në fillim”, deklaroi Majko.