TIRANE-Partia Demokratike i kërkon SPAK-ut që të nisë hetimet kundër ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu lidhur me videon e djeshme që publikoi me pamjet, sipas saj brenda Infektivit, ku të sëmurët me COVID luftojnë cdo moment me vdekjen. E ndërsa e cilëson videon si terror për qytetarët, ish-deputeti demokrat Bardh Spahia shprehet se SPAK duhet të hetojë Manastirliun sepse pamjet janë të rreme.
Në videon e postuar dje nga ministrja, që Spahia i kërkon dorëheqjen, shfaqen disa të sëmurë duke rënkuar, mes tyre një e moshuar, që sipas ministrisë ishte te Infektivi, por ish-deputeti demokrat thotë se qytetari e ka njohur gjyshen e tij, e cila nuk ka qenë e infektuar me COVID dhe se gjithçka që paraqet ministria është false. Më pas, Spahia, ndalet te kushtet brenda Infektivit. Ish-deputeti demokrat thotë se pamjet nga videoja që shpërndau ministrja tregojnë se serumet jepen në shishe uji.
PD: Shikoni edhe një herë videon e qeverisë. Pamjet tregojnë se serumet jepen në shishe uji. Në këtë nivel të tmerrshëm ka mbërritur shëndetësia falas, që premtoi Edi Rama 7 vjet e gjysëm më parë. Prokuroria e Posaçme duhet të nisë menjeherë hetimin penal për Ministren e Shëndetësisë, që shpërndau një video false për të terrorizuar qytetarët!











