Pikturat e artistes Meri File

''Katarsis'' nga Meri File

1 / 10

“Patriotizëm”, vizatim nga Meri File

2 / 10

''Vdekje Marati''

3 / 10

Cigania

4 / 10

''Gjysma tjetër e qiellit''

5 / 10

''Katarsis''

6 / 10

Artistja Meri File

7 / 10

Vizatim i Meri File

8 / 10

Vizatim i Meri File

9 / 10

Vizatim i Meri File

10 / 10
12 Janar 2019, 07:59

Nuk e di si ndodh të qëllojë që në një familje të thjeshtë vlonjate, një nga vajzat të lindë me magjinë e vizatimit perfekt me laps. Por jo vetëm me këtë. Të ketë kurajon dhe dhuntinë e provokimit, lirinë dhe natyrshmërinë e përshkrimit e të vëzhgimit të njeriut dhe formave të tij, të gjitha, ashtu të zhveshura e në detaj, si Zoti a Natyra e ka bërë. Qoftë burrë a grua, i moshuar a fëmijë, transgjinor apo jo, në lapsin e piktores humbin do mëkat.

Artisten Meri File nuk e besonin kur ishte e vogël. Vizatimet e saj të mrekullueshme me laps mësuesit pandehnin se nuk i bënte ajo, se dikush fshihej pas saj, një dorë tepër e stërvitur, eksperte, e ndjeshme. Mendojmë gjithnjë keq ne shqiptarët, por Meri nuk ishte asgjë nga këto. Meri File është thjeshtë një talent. Një piktore e re me përmasat dhe vizionin e një artisteje që fare mirë mund të qëndronte e të shpërthente në Europë apo SHBA.

Meri ka lindur në Vlorë dhe pas studimeve në lice e në Universitetin e Arteve jeton e punon në Tiranë.

Gjërat më me vlerë në qytetin tim i kam parë mes pallateve që krijojnë realitete aq kubiste, sa edhe vetë Pikaso nuk do t'i kishte menduar se në të vërtetë mund të qëndrojnë bashkë;  në katet e poshtme, ose në ato të sipërmet, në realitete modeste, sipërfaqje të vogla e të ngushta, ku krijojnë dhe përballen artistët tanë. E tillë është dhe studio e Merit, në një pallat mes pallateve andej nga Inxhinieria e Ndërtimit. Nuk e di nëse studio e saj është më shumë se 12 metra katrorë, por vizatimet, skulpturat i japin një dimension universal. Në kavalet ka ende në vaj të freskët e të patharë "Gjysma tjetër e qiellit", një nudo vajze e lidhur me litar, si një tullumbac që shkon drejt reve. Eshtë një trup vajze, me portret djali të vrazhdë... Eshtë djalë apo vajzë?  Artistja e ka bërë kastile kështu, luan e lë mesazhe përmes trupave që vendos në qendër të telajos apo fletës së vizatimit.

 Sic ka bërë me modelen e preferuar të saj, të vizatuar ashtu, me gjirin e hequr dhe me fytyrën ku tregon gjithë dhimbjen e jetës, që sigurisht e ka rrëfyer para artistes së re më parë.

Nuk e kishte menduar në 2016, kur vizatoi "Katarsis" te renë nudo, me fytyrë të mbuluar e me pushkën të transformuar në një organ mashkullor gjenital, se jo vetëm do të mbyllej për dy ditë ekspozita ku kishte marrë pjesë, por se do të kërcënohej si të kishte bërë blasfeminë më të madhe që në kohë të inkuizicionit.

"Katarsis" është ai revolucion seksual që ende shoqëri e sidomos gra në botë kanë për të bërë ashtu sic ka ndodhur me të tjera gra në anë të tjera të botës më parë.

Një artist i mirë, i vërtetë, sheh atë që njerëzit e zakonshëm nuk shohin dot. Për Merin është e lehtë ta paraqesë "Patriotizmin" fals të shumë bashkëkombësave tanë, me të mbathurat e leshta që dikur fqinja e saj vlonjate bënte për të shoqin me prostat dhe i thonte: I bëj për burrin, që ta mbajë "lulen" ngrohtë. Dhe lulja, në gjuhën e thjeshtë të fqinjës, ishte ai organ që duhej të kishte një emër mashkullor.

Disa orë në studion e një artisti kalojnë pa u vënë re. Artisti i mirë krijon rreth njerëzve një Purgator ku më të ndjeshmit fluturojnë në Parajsë, ndërsa ata që "nuk mbushin" mbeten në realitetin ku janë, Ferr a Parajsë qoftë.

Artistët e mirë janë pasuri e rrallë e një qyteti. Qyteti duhet t'i dojë më fort ata.