Për 100-vjetorin e shpalljes si Kryeqytet i Shqipërisë, Tirana do të ketë logon e saj. Pas përzgjedhjes fillestare mes mbi 50 aplikimesh, ishin 4 logot finaliste që u prezantuan nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Ndërkaq, fituesi do të zgjidhet nga publiku, në mënyrë transparente, përmes votës në rrjetet sociale. Për këtë arsye, Veliaj ftoi të gjithë qytetarët që të votojnë logon që iu pëlqen më shumë, pasi ajo do do të shenjojë edhe vitin festiv të 100-vjetorit të shpalljes së Tiranës Kryeqytet.
“Me një thirrje patëm mbi 50 aplikime, ishte realisht mbresëlënëse. Megjithatë, kemi mbërritur në 4 finalistë. Disa janë emra shumë të njohur, por disa i shoh për herë të parë, ndaj menduam se mënyra më demokratike për të bërë përzgjedhjen e fundit është ta hedhim në votim publik në rrjetet tona sociale (Tëitter, Instagram, Facebook)”, tha ai. Veliaj shtoi se përgjatë gjithë vitit do të ketë një sërë aktivitetesh, jo vetëm kulturore dhe artistike, por edhe të prezantimit të shumë projekteve, të cilat do të projektojnë Tiranën e 100 viteve të ardhshme.