TIRANË-Protesta e djeshme, mbajtur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit nuk ka pasur zyrtarisht një organizator, megjithatë, Policia ka njoftuar se ka vënë në hetim 4 persona, si të dyshuar si drejtues të saj. Report Tv ka arritur që të mësojë se kanë nisur hetimet për 4 persona të identifikuar me inicialet N. L, V. K, A. G dhe E. K, pasi sipas njoftimit zyrtar të Policisë, ato kanë penguar në mënyrë të paligjshme rrugën, si pjesëmarrës dhe organizatorë.
"Më datë 06.10.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për shoqërimin e shtetasve, N. L, V. K, A. G dhe E. K, pasi në bulevardin “Dëshmoret e Kombit”, kanë bërë bllokimin në mënyrë të paligjshme të rrugës, duke penguar qarkullimin e mjeteve, të identifikuar si pjesmarrës dhe organizatorë", njofton Policia.
Ndonëse lindi si një protestë qytetare, duket se Sali Berisha nuk ka nguruar që të fusë duart, i fshehur pas milItantëve të thekur të Partisë Demokratike dhe mesa duket skenari ishte i qartë. Për të treguar se kjo protestë nuk ishte e organizuar prej tyre, futën në Bulevard një të ri me flamurin e PD-së dhe më pas ishin të tjerë protestues që e larguan me argumentin se “politika nuk dihej përfshirë”. Megjithatë, në realitet fatkeqësisht nuk rezultoi kështu. Kjo sepse një nga protestuesit që mbajti një fjalim me megafon, mes një lumi akuzash për qeverinë, ishte Gentjan Gjonaj me origjinë nga Mati dhe që jeton në Tiranë.












