Publikohen për herë të parë katër foto të rralla nga ceremonia mortore e ish-Kryetarit të Komisionit të Planit të Shtetit, Nako Spiru, e cila u zhvillua në datën 21 nëntor të vitit 1947, ku sipas versionit zyrtar, ai kishte kryer vetëvrasje, në kushte të tronditjes shpirtërore! Nako Spiru, një nga figurat kryesore të udhëheqjes së lartë komuniste që nga periudha e Luftës, nga viti 1944 deri në ’47-ën që kreu “vetëvrasjen”, ishte anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste dhe në hierarkinë zyrtare të atyre viteve, ai ishte numri 3 i regjimit dhe vinte pas Enver Hoxhës e Koci Xoxes.
Po kështu që nga viti 1944 kur Spiru ishte zgjedhur si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të komanduar nga gjeneral-major Spiro Moisiu, ai ishte dhe anëtar i Kryesisë së Këshillit Antifahsist Nacional-Çlirimtar, kurse në vitin 1946, u zgjodh edhe si President i Bashkimit të Rinisë Antifashiste të Shqipërisë, si dhe sekretar Sekretariatit të Frontit Demokratik të Shqipërisë, që kryesohej nga Enver Hoxha.Nga mbarimi i Luftës e deri në 21 nëntorin e vitit 1947, Nako Spiru gjithashtu mbajti edhe një sërë detyrash dhe funksionesh të tjera, si: deputet dhe sekretar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ministër i Ekonomisë Kombëtare, Ministër i Industrisë, Kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit dhe kryetar i Këshillit Ekonomik. Më 1946-ën, nga funksioni i Ministrit të Ekonomisë Kombëtare, ai firmosi Konventën Bashkëpunimit Ekonomik me Jugosllavinë, gjë për të cilën më pas shfaqi shenja pendese dhe për këtë gjë pati kontradita me Enver Hoxhën, i cili e akuzoi si “antijugosllav”.












