Së shpejti një shtatore për ikonën e muzikës shqiptare në Lushnje

1 / 6
2 / 6
3 / 6
4 / 6
5 / 6
6 / 6
12 Gusht 2019, 17:05

Një shtatore e artistes së madhe Vaçe Zela, e punuar nga skulptori Arben Bajo do të vendoset së shpejti në Lushnje. Memoriali i ikonës së muzikës shqiptare do të vendoset në “Sheshin e Qytetarëve” në qytetin e Lushnjës, bën të ditur Bashkia e këtij qyteti, duke theksuar se “në këtë memorial që është një vlerë e shtuar për qytetin e Lushnjës, Vaçe Zela është menduar bashkë me kitarën që të duket se do të këndojë këngët që nuk harrohen kurrë”. Projekti është miratuar nga Këshilli Bashkiak një vit më parë më kërkesë të Kryetarit të Bashkisë, Fatos Tushe.

Vaçe Zela lindi në vitin 1939 në buzë të kënetës së Tërbufit në Lushnjë. Që e vogël u dallua për karakterin e saj artistik. Fillimisht u vu re dëshira e saj e madhe për të kënduar dhe për të kërcyer. Prandaj, më vonë vijoi mësimet në Liceun Artistik “Jordan Misja”, për të qenë në grupin e artistëve të rinj që do të përfaqësonin Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë në Moskë, në vitin 1956, kur ishte vetëm 17 vjeçe. Ky ishte ballafaqimi i saj i parë me skenën ndërkombëtare. Kështu, dalëngadalë, që nga ajo ditë filloi të bëhej e njohur edhe brenda vendit. Pjesëmarrja e saj në estradën e qytetit dhe në shfaqjet nëpër mbarë Shqipërinë ishin një ogur i mirë për rrugën që kishte nisur. Në vitin 1961 filloi të ishte pjesë e Estradës së Ushtarit.

Vaçe Zela që në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën “Fëmija i parë” ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Zëri dhe repertori i pasur që la trashëgimi vijojnë të mbeten gurë shndritës në gjerdanin e traditës shqiptare të këngës.

b.ha./Shqiptarja.com