Serafin Fanko, “Artist i Popullit”, është regjisori i katërt në teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Lindi, më 24.05.1937 në Shkodër dhe ndërroi jetë, më 29.11.2007 në Tiranë.
Në Shkodër qytet kaloi fëmijërinë, një fëmijë tragjike. Në vitet 1946 – 1948 Serafini së bashku me një motër kanë “strehëz” Shtëpinë e fëmijës. Pas disa vitesh i merr gjyshja dhe do të jetojë me to. Që në moshë të vogël, te Serafini xixëllojnë yjëzit e parë të një artisti të ardhshëm. Kjo është arsyeja që, gjatë viteve të shtëpisë së pionierit aktivizohet në rrethet e teatrit, pikturës, valles, këngës, etj. Në kujtimet e tij, aktori Ndrekë Prela (atëhere instruktor i rrethit të teatrit do të thonte: “Serafini spikaste mbi të tjerët. Tek ai unë shikoja një djalë me përspektivë për skenën tonë.”
Në Shkodër qytet Serafini kaloi dhe rininë. Në rrjedhën e jetës së tij, jemi munduar “të stacionojmë” në disa vite që po i përmendim më poshtë:
-Viti 1951. Valltar në Ansamblin e ushtrisë, ku qëndroi dy vjet. Për shkaqe ekonomike kthehet në Shkodër. Në qytetin e tij të lindjes, në fillim punon si shkrues, në: Fermentim, NISH – Lëkura, NSHRAK, etj. Më vonë e shohim përgjegjës kulture në shtëpinë e oficerëve. Këtu, ai shkruan dhe vë në skenë një operetë me amatorët. Ndërkohë, nisi dhe botimet e para të poezive autoriale në gazetën “Zëri i rinisë”.











