Shekspiri im, profesor Besim Qorri, aktori i panjohur i viteve ’30

William Shakespeare

1 / 5

1942 Elbasan- Majtas Besim Qorri, tjetri Xhafer Mehja i ardhur nga Italia për të investuar

2 / 5

Aleksandër Moisiu në rolin e Hamletit

3 / 5

Kadri Roshi në rolin e Hamleti

4 / 5

Naim Frashëri në rolin e Hamletit

5 / 5
20 Maj 2018, 10:40

Më parë se t’iu citoj diçka nga poezia ime ‘Hamlet’, dua të them se me Shekspirin jam takuar pak vonë. Në vitin 1961. Isha në klasën e tretë në shkollën e mesme pedagogjike, ish-shkolla Normale, në Elbasan. Në këtë vit na e bëri të njohur për herë të parë Shekspirin profesori ynë i letërsisë Besim Qorri. Ai ishte shtatshkurtër, topolak, me faqet buçko, me zë prej fëmije dhe… shumë i dashuruar me letërsinë… me Shekspirin. Na kishin thënë ata të vitit të katërt: dale, dale, s’keni marrë vesh asgjë prej letërsisë, pa dëgjuar profesor Besimin t’iu flasë për Hamletin. Ai jepte katër leksione të plota për Shekspirin, dmth, nuk kontrollonte dijet, nuk vinte nota, nuk jepte detyra shtëpie. Hynte në klasë dhe në heshtje, si në tempull, ne prisnim të fillonte ligjërtatën për Hamletin, Otellon, Makbethin, Romeo dhe Zhuljetën, Jul Qezarin.

Nuk dija, nuk kisha lexuar asgjë për Shekspirin. As të tjerët nuk dinin. Në atë kohë të librave me ballistë e partizanë, me traktoristë e me tazgjahiste, në kohën e filmave ruso-sovjetikë me kolkoziane të lumtura, me komisarë të kuq e me bjellogardistë, Shekspiri na erdhi si nga qielli, si shpëtim. Këta të tijtë ishin libra tjetërlloj: me magjistrica, me helme në vesh, me fantazma, me arapë të zinj, të tmerrshëm që e therin dhe pastaj e puthin gruan e vdekur, me të dashur që në varreza pinë helmin për njëri-tjetrin …. Ku paskëshin qenë këta libra?

Profesor Besim Qorri kishte qenë aktor në vitet ’30. Kur ishte kthyer nga studimet jashtë, kishte luajtur role në dramat e Ethem Haxhiademit. Disa thoshin se kishte luajtur rolet e femrave. Të tjerë thoshin se rolet e femrave i kishte luajtur profesori i fiskulturës, H. Biçoku. Për mua profesor Besimi Qorri ka qenë aktori i parë tragjik dhe mbeti më i miri, aktor që i luante të gjitha rolet shekspiriane, burra, gra mbretër, magjistrica. Ai na e futi Shekspirin në gjak.

Sadik Bejko

b.ha./Shqiptarja.com