“Mbas disa përpjekjeve disavjeçare që bëri vëllai im, Isa Ndreu, me mikun e tij, publicistin e njohur të mërgatës antikomuniste shqiptare, Lec Shllaku, ata arritën që t‘i merrnin mikut të tyre, Zhak Shirak, që asokohe ishte në funksionin e kryetarit të Bashkisë së Parisit, miratimin për t‘i dhënë një sheshi në qendër të kryeqytetit francez, emrin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Shllaku me Isain e kishin mik të ngushtë politikanin e famshëm francez, Zhak Shirak dhe ata e kishin ndihmuar atë në fushatat e ndryshme elektorale kur ai kandidonte për postin e Kryeministrit apo të Kryebashkiakut të Parisit.
Pas shumë bisedimeve që Isai me Lec Shllakun zhvilluan me mikun e tyre të ngushtë Zhak Shirak, ai mblodhi Këshillin Bashkiak të Parisit, i cili më datën 10 korrik të vitit 1978, me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, mori vendimin zyrtar dhe i akordoi emrin e Skënderbeut, njërit prej shesheve në qendër të Parisit, i cili më parë quhej “Villa Lumier”. Pas marrjes së atij vendimi, ceremonia zyrtare për dhënien e emrit “Skënderbej” atij sheshi, u zhvillue më datën 6 dhe 7 maj të vitit 1980, ku morën pjesë me dhjetra e dhjetra personalitete të mërgatës antikomuniste shqiptare nga shumë vende të botës.