Policia italiane sekuestron rreth 500 kg marijuanë në Leçe, gjatë një operacioni antidrogë. Një shqiptar dhe tre italianë raportohet se kanë rënë në pranga.
Lënda narkotike ishte fshehur brenda një gomone rreth 7 m e gjatë, e cila po tërhiqej nga një "Mitsubishi" në autostradë. Një automjet tip "Fiat" e shoqëronte, ndërsa brenda tij ishin dy vëllezërit italianë Cristian dhe Michele Cito, respektivisht 29 dhe 38 vjet. Ka qenë një efektiv policie i Leçes i cili ka ndaluar automjetet, ndërsa Fiat-i, me drejtues Vincent Pulli, 40-vjeçar, ka tentuar të largohet, duke lëvizuar në drejtim të kundërt, por është bllokuar nga policia.
Në automjetin tip Fiat, përveç dy vëllezërve, ishte i pranishëm edhe Arsen Xhaferi, shqiptar 32 vjeçar me një histori emigracioni të paligjshëm në Itali. Në bordin e gomones trafikantët kishin ngarkuar pajisje peshkimi, për të fshehur ngarkesën e drogës. Gjatë kontrolleve policia gjeti në të rreth 502 kg marijuanë, ndërsa në makinën tjetër tip "Fiat" u sekuestua një armë zjarri model rus, "Tokarev", me një fishek brenda.
Mësohet se shqiptari kishte mbërritur në brigjet e Leçes me gomone e cila ishte nisur nga Shqipëria. Pas mbërritjes në brigjet italiane, ai do të lëvizte bashkë me tre italianë në një vend të sigurt, nga ku do të hidhej droga në treg, e cila do kapte vlerën e 600 mijë euro.












