Një çift që arrin në altar e bën për të qëndruar së bashku gjatë gjithë jetës. Supozohet që dashuria e tyre është mjaft e fortë është sprovuar në situata të ndryshme dhe tashmë presin të plaken së bashku. Por jo gjithmonë ndodh kështu. Showbizi shqiptar ka pasur martesa të suksesshme por ka pasur edhe shumë raste të tjera ku jo gjithçka ka shkuar sipas planit dhe çifte të ndryshme i janë drejtuar gjykatës për t’u divorcuar. Sot do t’ju njohim me beqarinë e dytë të disa femrave shqiptare, pasi kanë dështuar në martesën e parë. Si e përjetuan ndarjen, si vazhdoi jeta më tej, a u hodhën në krahët e ndonjë mashkulli tjetër dhe çfarë marrëdhënie ruajnë ende me bashkëshortin.
Eli Fara dhe Lul Kapurani
Bilbili i muzikës shqiptare ka rrëfyer shumë herë njohjen me ish-burrin e saj, Lul Kapuranin. Ajo ka treguar se është martuar shumë e re, dhe është bërë nënë në një moshë kur edhe vetë ishte fëmijë. Më pas kur vajza e saj Marina ka qenë vetëm disa muajshe ka bërë anullimin e martesë. Eli Fara nuk është martuar më pas ndarjes nga Luli dhe ka rrëfyer se ndihet mjaft e lumtur me jetën e saj si beqare. Kapurani njihej ndryshe si ‘Kapo i Bandës së Ҫobejve’, dhe ka pasur edhe probleme me drejtësinë, ku si pasojë ka bërë edhe burg. Sot Eli nuk ka më kontakte me ish-bashkëshortin.
Albërie Hadërgjonaj dhe Mentor Hadërgjonaj
Këngëtarja mjaft e dashur shqiptare është martuar me Mentor Hadërgjonajn që në moshën 15-vjeçare dhe gjatë kësaj martese erdhën në jetë dy vajzat, Angjelina dhe Agnesa. Vetë Albëria është shprehur se bashkëshorti i saj u bë problematik dhe kjo “e ka lodhur” këngëtaren që kërkoi divorcin, pas 19 vitesh martesë. Këngëtarja ka folur gjithashtu edhe për tradhëtitë e shumta të Mentorit, megjithatë shprehet se ndihet e qetë tashmë që është beqare. Albëria është bërë edhe gjyshe dhe po e shijon mjaft këtë pjesë. Edhe Albëria gjithashtu nuk ruan më kontakte me ish-burrin.
Hygerta Sako dhe Artur Aligjoni
Divorci i moderatores sportive Hygerta Sako me bashkëshortin e saj Artur Aligjoni në vitin 2012 ka qenë shumë i fshehtë dhe ndarja nuk u bë publike menjëherë, por më vonë u zbulua nga mediat se çifti janë ndarë. Dyshja qëndruan 6 vite të martuar dhe gjatë kësaj periudhe erdhi në jetë vajza e tyre, Anais. Moderatorja është shprehur se me ish-bashkëshortin ka një marrdhënie fantastike dhe ndarja e tyre nuk ka ndikuar tek vajza, Anais pasi ajo kalon kohë edhe me të atin. Ish-bashkëshorti i Miss Shqipëria, biznesmeni i njohur, vitin e kaluar u bë pjesë e kronikës së zezë pasi mbeti i plagosur në një nga club-et e Tiranës. Ndërsa përsa i përket një lidhjeje të re, Hygerta ka thënë se është shumë mirë vetëm.











