Një ditë para ndeshjes inaguruese në ''Air Albania Stadium'', trajnerët dhe kapitenët e kombëtareve shqiptare dhe franceze kanë mbajtur konferencat e para zyrtare për shtyp.I pari ka qenë kapiteni i Shqipërisë, Hysaj i cili nuk mund të qëndronte pa komentuar dhe debutimin në këtë stadium përballë kampionëve të Francës duke theksuar se:
"Ky stadium është një ëndërr, është projektuar për lojtarë të mëdhenj. Nesër madje do të na ndihmojnë shumë edhe tifozët tanë. Kënaqësi që nesër do të na ndjekë nga afër edhe një legjendë e futbollit italian si Francesco Totti. Shpresojmë ta inagurojmë me fitore ndaj Francës. Miqtë kanë lojtarë kampionë dhe nuk falin fitoren as trepikëshin. Por ne kemi treguar se kemi një skuadër të fortë. Edhe Moldavia luajti mirë ndaj Francës para disa ditësh dhe shfrytëzoi rastet e saj. Me trajneri Edy Reja kemi krijuar lojën tonë dhe po bëjmë mirë me të deri tani. Zhgënjimin ndaj Andorrës e kemi lënë mbrapa dhe tani mendojmë vetëm për Francën. Lojtarët e Shqipërisë vazhdojnë të luajnë me zemër dhe kam një këshillë, nëse nesër do të luajmë të qetë do të bëjmë diçka të bukur, thjesht nuk duhet të nxitohemi por të luajmë qetë.’’
Ndërkohë tekniku italian Reja ka premtuar se në të ardhmen do të ketë rezultate më të mira. Ai është shprehur se do të donte të kishte marrë drejtimin e kombëtares shqiptare më parë, për të njohur më mirë ekipin dhe për të arritur rezultatet pozitive që në këto eleminatore.
Nga kampi francez, Deschamps shpreson të marrë tre pikët të cilat e kualifikojnë direkt për në Euro 2020 dhe pse e di se do të ketë një ekip të motivuar si Shqipëria e cila debuton në stadiumin e ri kombëtar. Ai shprehet se "Do luajmë ndaj një ekipi të motivuar nesër pasi Shqipëria do manifestojë vlerat e traditat e saj sportive në një stadium të ri. Ata kanë lojtarë cilësorë por ne vijmë për të siguruar tre pikët dhe fitoren e cila na jep vendin e parë."
Shqipëria pret nesër në ''Air Albania Stadium'' kampionët në fuqi të botës, Francën në ndeshjen e fundit në grupe të vlefshme për EURO 2020. ''Gjelat'' vijnë në Tiranë për të siguruar vendin e parë pasi kërcënohen nga Turqia e vendit të dytë e cila ka një fitore thuajse të sigurt në Andorrë. Por për kuqezinjtë ajo çfarë ka më shumë rëndësi është stadiumi i ri i cili do të inagurohet me një ceremoni të veçantë.