Memorie.al publikon historinë e panjohur të tre vajzave gjermane, Elsa Koch, Irmgrand Tennius dhe Erna Schubert, sekretare dhe daktilografiste të Komandantit të Përgjithshëm gjerman në Shqipëri, gjeneralit Fiztum, të cilat më 5 shtator të vitit 1944, teksa ishin duke u larguar nga Shqipëria me një autokolonë gjermane, u kapën rob në rrugën Kukës-Prizren nga një kompani partizane që kishte zënë pritë aty dhe më pas me urdhër të Enver Hoxhës u mbajtën peng në Tiranë, në tentativë për t’i shkëmbyer me dhjetra të burgosur që mbaheshin të izoluar në Kampin e Prishtinës. Si u kryen negociatat për një marrëveshje për shkëmbimin e tyre nga ana e të dërguarit të Enver Hoxhës dhe përkthyesit të Gestapos në Tiranë, Petraq Pekmezi, i cili tre ditë para çlirimit të Tiranës, u ekzekutua nga një skuadër partizane në shtëpinë e tij buzë Lanës, dhe fati tragjik i tre vajzave që vuajtën kampeve dhe burgjeve të Shqipërisë komuniste, deri në vitin 1955 kur u lidh marrëveshja Hrushov-Adenaur për shkëmbimin e robërve…
“Përbindëshi kuq e zi i Europës”, ky ishte titulli i librit që shokoi publikun gjerman dhe më gjerë, në mesin e viteve ’60-të, i autores Elsa Koch. Në këtë libër autobiografik autorja përshkruan deri në detaje burgjet dhe kampet e përqendrimit të Shqipërisë komuniste të sunduar nga klika e Enver Hoxhës, ku ajo dhe dy shoqet e saj: Irmgrand Tennius dhe Erna Schubert, do të kalonin rreth 12 vite të jetës së tyre. Po çfarë e lidhte autoren e librit Elsa Koch me vendin e vogël komunist të Ballkanit dhe cili ishte shkaku që ajo kaloi dymbëdhjet vite të jetës së saj në ferrin e burgjeve shqiptare? Si mundi ajo të largohet nga vendi më i izoluar i Evropës Lindore dhe përse ajo vazhdoi të mbante më pas kontakte me këtë vend që në librin e saj do ta përshkruante si një ferr të vërtetë?! Të gjitha këto, etj., përbëjnë atë që mund të quhet një aventurë e rrallë të tre vajzave gjermane, që fati i lidhi me Shqipërinë dhe shumë kohë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore! Të zëna rob gjatë një prite, ato do të mbaheshin peng dhe do të ofroheshin në këmbim të 104 shqiptarëve të burgosur në kampin e Prishtinës, por kryekomandanti i partizanëve shqiptarë, Enver Hoxha, theu marrëveshjen dhe si rrjedhim shqiptarët u ekzekutuan. Duke bërë kështu që jetët humbura të tyre të hynin në histori bashkë me emrat e tre vajzave gjermane, ku njëra prej tyre, dhe më kryesorja, ishte pikërisht Elsa Koch.