Më një Udhëzim të datës 17.5.2019, por që ka hyrë tani në fuqi, janë përcaktuar procedurat që do të ndiqen për administrimin e automjeteve dhe motomjeteve që kalojnë në rezervat materiale të shtetit, si pasojë e konfiskimit.
Ku Udhëzim i ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, që administron Rezervat e Shtetit, synon të unifikojë veprimet që kryhen nga administrata të ndryshme me makinat dhe motorrat e konfiskuar në dobi të shtetit nga qytetarë apo subjekte që kanë kryer shkelje të karakterit penal, ose të bllokuar gjatë për probleme të ndryshme.
Institucioni
Udhëzimi përcakton se do të jetë Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit administrata përgjegjëse për marrjen e masave të nevojshme për pranimin dhe marrjen në dorëzim të automjeteve dhe motomjeteve që kalojnë në Rezervat Materiale të Shtetit, si pasojë e konfiskimit.
Procedurat
Mjetet e konfiskuara do të kategorizohen duke përcaktuar peshën reale të tyre, nga një komision i ngritur nga ana e drejtorit të përgjithshëm të Rezervave Materiale të Shtetit. Komisioni për kategorizimin e mjeteve, duke marrë për bazë këto kritere: viti i prodhimit, kilometrat e përshkruar, gjendja teknike e motorit, normat e harxhimit të karburantit për 100 km, gjendja teknike e pjesëve xhenerike, sistemin elektrik, pamja e jashtme e mjetit dhe tapicerinë, norma e emetimit të gazrave, kategorizon mjetet, si më poshtë:
a) mjete që plotësojnë kushtet teknike për qarkullim;
b) mjete që do të administrohen në skrap, duke përcaktuar njëkohësisht edhe peshën fizike respektive.
Për mjetet e marra në dorëzim ‘de jure’, komisioni për kategorizimin e realizon veprimtarinë në pikën ekzistuese të ruajtjes së mjeteve. Për efekt kontabiliteti, mjetet e konfiskuara, pas marrjes në dorëzim nga drejtoritë e Rezervave Materiale të Shtetit, do të kontabilizohen me vlerën një lek.