GREQI-Një ngjarje e rëndë është shënuar në Korfuz në ditët e para të Vitit të Ri. Sipas mediave greke, një shqiptar ka vrarë vajzën dhe më pas e ka varrosur në oborrin pas shtëpisë, pasi ishte kundër lidhjes së saj me një të ri nga Afganistani. Viktima është Anxhela Pjetri 28-vjeçe nga Berati, ndërsa i ati është arrestuar pas krimit. Ngjarja ka ndodhur në Alepou të Korfuzit në ditën e parë të Vitit të Ri, ndërsa është zbuluar dje.
Ka qenë i dashuri i saj nga Afganistani që ka bërë denoncimin pasi nuk po arrinte që të kontaktonte me 28-vjeçaren. Ai ka ngritur dyshimet se vajza mund të ishte vrarë, pasi i ati nuk pranonte lidhjen. Më pas policia ka marrë në pyetje të atin e vajzës, ku ka zbuluar se ishte ai autori i vrasjes.
Fillimisht ai ka treguar vendin ku ishte gjetur e vdekur vajza duke mohuar se ishte ai autori, por pas pyetjeve të grupit hetimor ka dhënë përgjigje kontradiktore duke bërë që të merret i pandehur si i dyshuari kryesor ku më pas ka pranuar vrasjen.
Shqiptarja Anxhela Pjetri kishte prej disa kohësh një lidhje me një të ri afgan, ndërsa babai e kundërshtonte marrëdhënien. Kjo ishte arsyeja që vajza ishte larguar nga banesa, ndërsa punonte në një dyqan. Sherret e njëpasnjëshme sollën edhe ngjarjen tragjike në ditën e parë të janarit.
Sipas mediave greke, shqiptari e vrau vajzën e tij pas goditjeve disa herë me sende të forta, ndërsa më pas për të humbur gjurmët e varrosi në oborr, por pas disa orësh krimi u zbulua. Ndërkohë trupi është transportuar për kryerjen e autopsisë.











