TIRANE - Ligji "Për sigurimet shoqërore", që hyn në fuqi në datën 1 janar 2015, parashikon të sjellë ndryshime rrënjësore edhe në skemën e fshatit, nga e cila të vetëpunësuarit në bujqësi do të përfitojnë pensione më të larta, për ata që kontribuojnë më shumë dhe për sa më shumë vite.

Burime nga Instituti i Sigurime Shoqërore bejnë të ditur se, me ndryshimet në ligjin e sigurimeve shoqërore, për herë të parë, të vetëpunësuar në bujqësi do të kenë të njëjtat përfitime me ata që janë të punësuar në zonat urbane dhe që paguajnë sigurimet shoqërore.

Sipas ISSH, synohet që në vitin 2018, skema e pensioneve rurale të integrohet me atë urbane në një skemë të vetme kombëtare, çka do të thotë se nuk do të ketë asnjë diferencë në masën e pensioneve të fshatit me ato të qytetit.


ISSH bën të ditur se, numri i kontribuuesve në skemën rurale, këtë vit llogaritet në 33 mijë persona. Kjo është një shifër jashtëzakonisht e ulët, po të kemi parasysh se gjysma e popullsisë në Shqipëri jeton në fshat. Ndaj reforma e ndermarrë në ligjin "Për sigurimet shoqërore" synon të nxisë fermerët, pë tu bere pjese në skemën e sigurimeve.

Formula

Sipas formulës së ndryshuar, pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar personi me periudhën e sigurimit të kërkuar. Per vitin 2015, ky pension mendohet të jetë rreth 6646 lekë, ndërsa në vitet në vijim do të indeksohet çdo vit me inflacionin.

Ndërkohë që, shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve. Është pikërisht ky element i formulës që lidhet drejtpërdrejt me kontributet e sigurimeve shoqërore të derdhura, përllogaritja e të cilëve ndryshon për periudhën para dhe pas vitit 1994.
Sipas ligjit të ri, kjo bazë llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. Kështu, për periudhën e sigurimit nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar merret shuma e pagave, për të cilat janë paguar kontributet nga data 1.1.1994 deri në fund të periudhës së sigurimit.

Ndërsa, për periudhën e sigurimit në institucione dhe ndërmarrje shtetërore para datës 1.1.1994, për llogaritjen e kësaj baze do të merren pagat referuese, të cilat do të përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.

Ndërkaq, për herë të parë saktësohet sesi do të procedohet me të punësuarit në ish-kooperativat bujqësore gjatë viteve të komunizmit. Ndryshimet që ka pësuar ligji përcaktojnë se llogaritja e bazës së vlerësuar do të bazohet te pagat referuese të caktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

Sipas skemës ekzistuese, një fermer që ka të siguruara pas vitit '94 ose punësim në shtet para '94 në masën 17 vjet e 6 muaj, automatikisht merrte pension urban, ndërsa një tjetër që ka 17 vjet e 4 muaj përfitonte pension rural, duke u penalizuar për vetëm 1 ose dy muaj.

Në rastet kur personi i siguruar ka periudhë sigurimi para dhe pas datës 1.1.1994, baza e vlerësuar llogaritet si mesatare aritmetike e ponderuar e bazës së vlerësuar të periudhave të sigurimit si ish-punonjës i institucioneve apo ndërmarrjeve shtetërore dhe ish-anëtar i kooperativave bujqësore përpara vitit 1994, si dhe e periudhave të sigurimit si person i punësuar, i vetëpunësuar apo ekono-mikisht aktiv pas datës 1.1.1994. Mesatarja e ponderuar si koncept ekonomik përdoret në rastet kur frekuencat e të dhënave të serisë janë të ndryshme ose të grupuara që në rastin konkret janë kontributet e sigurimeve shoqërore para dhe pas vitit 1994.

Mosha

Ndërkaq, ndryshimet që ka pësuar ligji parashikojnë rritjen graduale të moshës së pensionit. Fillimisht ai do i japë efektet e tij te gratë, pasi sipas ligjit të ri, mosha e daljes në pension për to do të rritet me dy muaj në vit, duke u bërë 63 vjeç në vitin 2032.
Më pas do të nisë rritja e moshës edhe për burrat, për të shkuar në 67 vjeç në vitin 2056, për të dyja gjinitë. Por, ndonëse burrat nuk do të preken menjëherë nga zgjatja e moshës së daljes në pension, ata ndikohen nga rritja e viteve të vjetërsisë në punë.
Kjo pasi, skema e re parashikon rritjen graduale të viteve të vjetërsisë në punë, me 4 muaj çdo vit. Kjo do të thotë se, nëse një burrë, në dhjetor të vitit 2014 duhet të ketë 35 vite vjetërsi, me skemën e re duhet të ketë 35 vjet e 4 muaj. Kjo zgjatje do të vijojë deri në vitin 2029, ku arrihen dhe vitet maksimale në punë, të cilat sipas skemës së re do të jenë 40. /ATSH/