SHKODER - Policia e Shkodrës ka arrestuar mesditën e sotme Palush Demajn 21 vjeç, i dyshuar si vrasës i 24 vjeçarit Altin Koçeku më 15 maj të këtij viti, në fshatin Hot i Ri.
Demaj është arrestuar nga policia në flagrancë, në banesën e tij.

Prangosja e tij ka ardhur si rezultat i dëshmisë së dhënë javën e kaluar nga Alban Lulashi, i dyshuari tjetër i vrasjes së të riut 24 vjeçar. Lulashi, 17 vjeç, në dëshminë e tij, mohoi autorësinë e vrasjes duke thënë se atë e ka bërë Demaj, por që ky i fundit i ka kërkuar të marrë fajin përsipër
 
“Demaj më tha ti merr autorësinë përsipër, unë të marr gjakun. Por jam penduar se kam familjen e ngujuar”- u shpreh për ngjarjen 17-vjeçari Lulashi në dëshminë e tij. Ndërkaq Gjykata e Shkodrës ka vendosur masën arrest me burg për Alban Lulashin.

24-vjeçari Altin Koçeku u ekzekutua më kallashnikov në fshatin Hoti i Ri në Shkodër pas një konflikti të çastit me një bashkëmoshatarin e tij. Altin Koçeku, 24 vjeç u qëllua me breshëri kallashnikovi duke humbur jetën në spitalin rajonal të Shkodrës, ku ishte dërguar në gjendje të rëndë.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)