23 lëkundje tërmeti trondisin juglindjen e vendit, 4 vetë plagosen dhe 100 banesa dëmtohen në qarkun Korçë

Ora 06:26 - Lëkundjet e para të tërmetit.

Në mëngjesin e kësaj të shtune  banorët e zonave përreth Korçës por dhe në qytet janë zgjuar të tronditur nga lëkundjet e një tërmeti. Ekzaktësisht në orën 06:26 minuta qarku në juglindje të vendit është tronditur nga një tërmet me magnitudë 4.9 me epiqendër pranë fshatit Nikolicë dhe parkut të mbrojtur të zonës, në kufi me shtetin grek, ndërsa epiqendra ishte vetëm 17 km larg nga qendra e qytetit të Korçës.

Ora 06:33 - Tërmeti i dytë shkund zonën

Vetëm 6 minuta pas lëkundjeve të para një tërmet me magnitudë  5 të shkallës rihter ka tronditur sërish qarkun e Korçës.  Tërmeti është regjistruar në thellësinë 10 km, pranë Dardhës dhe vetëm 10 km në vijë ajrore nga qendra e qytetit të Korçës. Ky është edhe tërmeti më i fortë që ka prekur zonën në vitet e fundit.

Ora 06:42 deri në orën 08:20 - 6 lëkundje të tjera në zonë

Në harkun kohor 06:42 minuta deri në orën 08:20, pas dy lëkundjeve të forta, 6 të tjera i kanë pasuar por në magnitudë më të vogël. Në këto momente banorët e zonave të prekura kanë lënë banesat e tyre për të qëndruar jashtë nga frika e lëkundjeve të tjera.

Ora 09:00 - Tjetër tërmet i fortë godet zonën, magnituda 4.8

Vetëm 1 e 30 minuta nga goditja e parë e fortë, një tjetër ka tronditur zonën, epiqendra e këtij tërmeti me magnitudë 4.8 i shkallës rihter pranë fshatit Arrzë të Korçës. Nga 3 lëkundjet e forta dhe disa pas lëkundje të një magnitudë më të ulët raportohet për dëme në strukturën e banesave në fshatrat Dvoran dhe Floq ndërsa banorët kanë dalë në rrugë për të qëndruar jashtë banesave apo apartamenteve nga frika e shembjes. 

Ora 09:23 - Sizmiologu Koçi për Report Tv: Tërmeti është ndjerë edhe në Selanik 

Në një lidhje telefonike për Report Tv, sizmologu Rexhep Koçi është shprehur se ky tërmet ishte relativisht i fortë, i cili është shoqëruar edhe me disa pas goditje. Sipas tij ky tërmet është ndjerë deri në Selanik.

Ora 09:27 - Ministria e Mbrojtjes: Situata po ndiqet në vazhdimësi 

Ministria e Mbrojtjes ka reaguar lidhur me tërmetet e ndodhura mëngjesin e sotëm në Korçë duke informuar lidhur me shkallën e tyre dhe dëmet e shkaktuara në qytetet që janë prekur prej tyre. Sipas ministrisë, nga 6 tërmetet që kanë rënë mëngjesin e sotëm janë dëmtuar 5 banesa në fshatrat Dvoran dhe Floq, ndërkohë që lëkundjet sizmike vijojnë të ndjehen ende. 

 

Ora 09:30 - Katër të plagosur nga tërmetet e rëna në qarkun Korçë 

Katër persona kanë mbetur të plagosur nga tërmetet e rëna mëngjesin e sotëm në qarkun e Korçës. Ata kanë pësuar dëmtime në kokë dhe në trup pasi u zunë nga një mur që u shemb gjatë lëkundjeve të forta. 4 të plagosurit ndodhen në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Ora 09:03 deri 10:17 -  Katër tronditje të tjera regjistrohen në zonë, por në magnitudë më të ulët.

Ora 10:20 - Tërmeti 'shkatërron' Floqin, disa banesa dalin jashtë funksionit.

Pjesa më e madhe e banesave janë dëmtuar janë në fshatin Floq, fshat që ka qenë edhe më afër epiqendrës së tërmeteve. Drejtori i NSHP, Ilir Dinellari ka mbërritur në këtë fshat e ndërsa pritet të mbërrijë edhe kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo. Siç raporton gazetarja Gladiola Hoxha, vijojnë lëkundjet e lehta të tërmetit, e ndërsa thekson se ka banesa që kanë dalë jashtë funksionit. Përveç fshatit Flloq, ka pasur dëme materiale edhe në Pogradec, Ersekë, Devoll.

Ora 11:00 - Banorët: U tmerruam, të shpallet gjendje emergjente! Të sillen çadra dhe ushqime 

Banorët në fshatin Floq kanë bërë apel që të shpallet gjendje e jashtëzakonshme. Asnjë prej tyre nuk pranon të futen në banesë, për shkak se i tremben një tërmeti të radhës. Ato i bëjnë apel pushtetit vendor që të nisin ngritjen e çadrave dhe dërgimin e ushqimeve, pasi disa prej banesave janë jashtë funksionit. Për mikrofonin e Report Tv, ata kanë rrëfyer se si kanë përjetuar momentin që kanë ndjerë tërmetin.

Ora 11:10 - Bilanci i tërmetit/ 100 banesa të dëmtuara, Emergjencat Civile: 40 çadra për banorët e Floqit 

100 banesa të dëmtuara është totali i banesave të dëmtuara si pasojë e serisë të tërmeteve që kanë rënë në juglindje të vendit. Bëhet e ditur se në fshatin Floq , ku ishte dhe epiqendra e tërmetit janë vënë në dispozicion 40 çadra, për banorët. Në këtë fshat janë dëmtuar 70 banesa, në Qafzezë 10 shtëpi, në Vidohovë 20 banesa, ndërsa në Mollas, banesat kanë marrë dëme të lehta.  

Ora 14:05 - Kreu i Bashkisë Filo: Banorët kanë frikë të kalojnë natën në shtëpi, do ngremë një kamp të përkohshëm 

Në një lidhje telefonike për Report Tv, kryebashkiaku i Korçës Sotiraq Filo deklaroi se banorët ndihen të rrezikuar dhe se ka kërkuar që të furnizohen me 100 çadra që të ngrejmë në kamp të përkohshëm për banorët që do kalojnë natën jashtë.
 

"Nga ana e bashkisë dhe shtabit të emergjencave janë marrë masat dhe presim raportime nga qytetarët. Kemi bashkëpunuar edhe me shtabin qëndror të emrgjencave pasi një pjesë të banesave janë dëmtuar dhe banorët kanë frikë të kalojnë natën brenda tyre. Kemi kërkuar të furnizohemi me 100 çadra dhe të ngremë një kamp të përkohëshm për familjet që kanë problematika më të mëdha", u shpreh Filo.

Ora 14:19 - Presidenti Meta: Autoritetet të marrin masa 
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar lidhur me tërmetet që kanë rënë ditën e sotme në Korçë. Presidenti shpreh shqetësimin e tij të thellë lidhur me pasojat e rënda të tërmetit në zonën e Korçës dhe dëmet e shumta materiale të shkaktuara.
Ai u bën thirrje dhe nxit të gjitha autoritetet qendrore dhe lokale, që të ndjekin me shumë vëmendje dhe të analizojnë me përgjegjësi këto pasoja, si dhe të marrin masa të menjëhershme në plotësimin e nevojave emergjente të banorëve të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore duke u garantuar shërbim shëndetësor, pajisje me ushqim e ujë të pijshëm dhe sistemimin në ambiente të përshtatshme strehimi.
 

Nga ora 11:11 deri në orën 15:42 - 9 pas goditje tërmeti, magnitudë 2.1 deri 3.9 të shkallës rihter janë regjistruar në zonë. Ndërsa në pamjet pa koment duket shkatërrimi që këto tërmete kanë shkaktuar. 

Ora 16:50 - Dëmtimi i banesave nga tërmeti, ushtarët e FA-së vendosin çadrat në Korçë

Në zonat e prekura nga tërmeti në Korçë janë vendosur çadrat, shtretërit dhe batanijet për familjet, banesat e të cilave janë dëmtuar. Efektivë të Forcave të Armatosura të Mbrojtjes janë vendosur në ndihmë të banorëve të prekur.

Ora 17:47 - Haki Çako mbërrin në Korçë: Po instalojmë çadrat për banorët

Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile Haki Çako ka mbërritur në Korçë për të mbikëqyrur nga afër situatën e krijuar nga tërmetet e njëpasnjëshme të ditës së sotme. Çako deklaroi se po punohet për të siguruar ushqim dhe fjetje për banorët, shtëpitë e të cilëve kanë pësuar dëme të rënda.

 

"Ne bashkë me prefektin kemi marrë masat për inventarizimin paraprak të dëmeve të banesës. Janë dëmtuar disa banorë. Konstatohen rreth 100 banesa të dëmtuara. Një pjesë prej tyre kanë qenë të pabanuara. Ka nisur instalimi i çadrave për të shmangur qëndrimin e tyre në banesë. Ju kemi ardhur në ndihmë banorëve për të siguruar ushqime dhe fjetje, qoftë në fshatin Floq por edhe në fshatrat e tjera", u shpreh Çako.


Një banesë që ka pësuar dëme të mëdha nga tërmeti (Kliko për ta parë të madhe)

Ora 19:00 - Prefektura ka kërkuar rreth 100 çadra kolektive për sistemimin e banorëve që iu janë dëmtuar banesat. Deri tani 50 çadra janë montuar nga Forcat e Armatosura ku janë strehuar rreth 90 banorë ndërsa po vijon montimi i të tjerave. Banorët do të kalojnë sonte natën në çadra, jashtë banesave për shkak të rrezikut të lëkundjeve të tjera sizmike në zonë. 

Ora 20:50 - Lëkundja e 23-të sizmike, tërmet me magnitudë 4.5 në orët e mbrëmjes
Në orët e mbrëmjes një tjetër lëkundje e fortë sizmike me epiqendër pranë fshatit Nikolicë është ndjerë në qarkun e Korçës. Kjo lëkundje sizmike u regjistrua me magnitudë 4.5 të shkallës rihter, ndërsa banorët e zonave përreth janë strehuar në çadrat e ushtrisë. 

Përgatiti: Antonio Çakshiri/Shqiptarja.com (01/06/2019)