5 orë flakë e bomba molotov drejt Kryeministrisë, opozita protestë në bulevard
Ora 09:30 - Basha mbërrin në selinë e PD-së
Lideri i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mbërritur në selinë blu për diskutimet e fundit me organizatorët, deputetët dhe mbështetësit e tij për marshimin drejt bulevardit "Dëshmorët e Kombit", për tu stacionuar më tej rreth kryeministrisë në orën 11:00. Basha është shprehur shkurt për gazetarët se ‘asgjë nuk i ndal protestuesit’.
Ora 10:30 - Masat e policisë për protestën: Kundragaz, autoblinda, telekamera...më pak efektive vajza
Forca të shumta të policisë janë mobilizuar në kryeqytet, përreth kryeministrisë, për të garantuar sigurinë në protestën e opozitës së bashkuar. Të gjitha strukturat e policisë, deri tek Reparti RENEA, janë në gatishmëri për të ndërhyrë në raste të mundshme të përplasjeve. Mbi 1300 forca policore janë angazhuar në një plan masash specifik, ku janë stacionuar rreth kryeministrisë, efektivë me maska kundra gaz. Ajo që është vërë re në radhët e policisë, është fakti se ka një prani më të vogël të efektiveve femra, në krahasim me tubimet e mëhershme.
Ora 10:45 - Vajzat e PD-së 'mesazh paqeje' në duar, i japin karafila policëve.
Në protestën e opozitës, e cila pritet të nisë pak momente më vonë, janë parë disa vajza me lule në duar. Ato kanë dalë nga selia e Partisë Demokratike dhe janë bashkuar me pjesën tjetër protestuesve për të dhënë mesazhin e një tubimi paqësor. Karafilat e kuq më pas iu janë dhënë efektivëve të policisë në kordonin policor. Ndërkohë sipas PD, në protestë do jenë edhe 500 të rinj të organizuar për të qëndruar përpara policëve që janë në kordonin e parë të sigurisë.
Ora 10:50 - Berisha, Kryemadhi e Basha mes turmës pranë Kryeministrisë: Fjalën e kanë qytetarët
Janë mbledhur të gjithë bashkë pranë kryeministrisë. Liderët e opozitës, Lulzim Basha i Partisë Demokratike, Monika Kryemadhi e LSI-së, dhe ish-lideri historik Sali Berisha kanë vendosur të qëndrojnë në heshtje pranë kryeministrisë, në mesin e protestuesve të mbledhur nga gjithë Shqipëria para kryeministrisë për të kërkuar largimin e qeverisë Rama, sipas tyre të korruptuar dhe të lidhur me krimin. Kanë zgjedhur të mos mbajnë fjalime politike.
Berisha teksa gazetarët i drejtuan mikrofonin tha se: " Sot e udhëheq populli Shqipërinë, ky është monarku absolut i Shqipërisë".
Ora 11:00 - "Astiri" me portokalli dhe vuvuzela në protestën e PD-së
Protestës së opozitës i janë bashkuar edhe banorët e zonës së "Astirit" që prej më shumë se tre muajsh protestojnë kundër projektit të Unazës së Madhe.
Të veshur të gjithë me bluza dalluese ngjyrë portokalli dhe me vuvuzela, banorët i "Astirit" në një marshim të organizuar janë bashkuar tek kryeministria.
Ora 11:26 - Shënohen incidentet e para, protestuesit hedhin tymuese, djegin pankartën e Ramës
Protestuesit të cilët janë mbledhur tashmë në Blevardin Dëshmorët e Kombit kanë hedhur tymuese drejt Kryeministrisë, ndërkohë që janë parë të djegin një foto të kryeministrit Edi Rama.
Më herët një protestues është përplasur me pjesën tjetër pasi ka bërë thirje për një tubim paqësor. Ai ka hasur në kundërshtinë e protestuesve të tjerë të cilët e kanë quajtur atë komunist.
Ora 11:37 – Tensionohet situata, flakë në shkallët e kryeministrisë
Protestuesit kanë hedhur kapsolla, bidona me ujë, dhe tymuese dhe janë përleshur me forcat e policisë. Në shkallët e godinës së kryeministrisë ka flakë për shkak se protestuesit kanë hedhur bomba molotov. Ndërsa po përpiqen të çajnë kordonin policor
Ora 11:45 – Protestuesit tentojnë të futen në kryeministri
Protestuesit çajnë kordonin policor duke tentuar të futen në kryeministri nga hyrja nga ana e bulevardit ku ishte ngritur edhe një skelë. Pasi çmontuan një pjesë të skelës protestuesit kanë tentuar të thyejnë xhamat e derës por pa rezultat për shkak se janë antiplumb.
Video momentet kur çahet kordoni policor dhe protestuesit tentojnë të futen në kryeministri. Këto janë momentet e para të dhunës në protestë mes protestuesve dhe policisë drejt të cilëve u hodhën objekte.
Ora 11:50 - Garda hedh gaz lotsjellës, shpërndahen protestuesit nga dera e kryeministrisë
Forcat e Gardës së Republikës të vendosura mbi godinën e kryeministrisë kanë hedhur gaz lotsjellës mbi protestuesit që po thyenin derën e kryeministrisë me dërrasa dhe mjete të forta. Pas gazit lotsjellës protestuesit nuk kanë mundur të rezistojnë dhe janë larguar.
Para këtij veprimi garda ka bërë thirrje të vazhdueshme me megafon për tërheqjen e protestuesve, duke bërë apel të tërhiqen dhe të ndalin veprimet e dhunshme. Forcat e policisë u angazhuan për të shpërndarë turmën.
Ora 11:55 - Disa të lënduar në protestën e opozitës
Gazi lotsjellës i hedhur nga Garda për të larguar nga kryeministria protestuesit e dhunshëm, jo vetëm që i ka larguar tubuesit nga dera e kryeministrisë që nisën ta thyenin me mjete të forta, por disa prej tyre kanë mbetur edhe të lënduar. Ndërsa u shpërndanë menjëherë pas hedhjes së gazit lotsjellës, shumë protestues kanë pasur problem me frymëmarrjen. I lënduar mbeti edhe një efektiv i forcave të policisë, nga përplasja e fortë që u bë me protestuesit.
Tubuesit çanë kordonin e policisë të vendosur në rreshtin e parë para kryeministrisë ku nisën të hipin mbi skelën mbrojtëse të vënë para derës së kryeministrisë dhe instalacionit ndriçues. Nga terreni, gazetarët e Shqiptarja.com dhe Report Tv, raportojnë se një pjesë e turmës po largohen për shkak se nuk përballojnë dot gazin, aktivistët e opozitës po përpiqen t'i mbajnë. Ndërkohë Garda vijon të bëjë thirrje për qetësimin e qytetarëve.
Ora 12:10 - Protestuesi pa ndjenja mbi strehën e kryeministrisë, droni kap momentin e vështirë
Një protestues ka mbetur i plagosur si pasojë e gazit lotsjellës që Garda e Republikës hodhi për të shpërndarë turmën e dhunshme që nisi të thyejë derën e kryeministrisë. Protestuesi, një burrë në moshë, hipi mbi skelën e vendosur tek hyrja e kryeministrisë që mbron derën dhe instilacionin ndriçues, por teksa të gjithë të tjerët u shpërndanë pas hedhjes së gazit lotsjellës ai ka mbetur mbi strehën e derës së kryeministrisë pa u rënë në sy protestuesve.
Report TV sjell pamjet me dron/ Momenti kur protestuesit iu sulën Kryeministrisë
Protesta e thirrur nga opozita degjeneroi në dhunë dhe në shkatërrimin e hyrjes kryesore të Kryeministrisë. Protestuesit thyen dhe shkatërruan hyrjen dhe instalacionet që ishin vendosur në hyje.
Ora 12:42 - Çahet sërish kordoni i policisë, shkatërrohet edhe "Kërpudha"
Pasi janë qetësuar për disa çaste protestuesit, kanë thyer për së dyti kordonin e policisë vendosur para kryeministrisë. Protestuesit i janë afruar godinës instilacionit të Kërpudhës që ndodhet në krah të godinës dhe kanë filluar ta shkatërrojnë
Ora 12:44 - Garda bën thirrje për të ruajtur qetësinë, protestuesit marrin me forcë foninë
Gjatë momenteve të përplasjes mes dy palëve garda ka bërë thirrje për ndërprerje të veprime të dhunshme. Ajo ka thënë se duhet të ruhet qetësia duke i kujtuar qytetarëve se veprimet që po kryejnë përbëjnë vepër penale.
Garda i është drejtuar edhe punonjësve të policisë duke i kërkuar atyre të zbatojnë ligjin.
Gjatë këtyre momenteve disa protestues kanë marrë me forcë foninë e gardës që bënte thirrje për neutralizim të situatës.
Ora 13:02 - Basha: Dhuna skenar i Ramës, qytetarët mos të tërhiqen
Kryedemokrati foli për situatën e tensionuar mes protestuesve dhe policisë. Ai tha se përplasja është një skenar i mirëmenduar i Edi Ramës. Basha i kërkoi qytetarëve të vazhdojnë të qëndrojnë në protestë për të mbrojtur të drejtat e tyre.
"Asnjë protestues nuk erdhi për të bërë akte dhune. Ata u provokuan nga një skenar i mirëmenduar i Edi Ramës. I kërkoj qytetarëve të qëndrojnë të bashkuar në këtë protestë për të drejtat e tyre", tha Lulzim Basha.
Ora 13:20 - Ja sa protestues janë në tubimin e opozitës (Pamjet me dron)
Report TV sjell pamje të reja me dron të protestës së opozitës së duke treguar numrin e pjesëmarrësve. Opozita ka deklaruar më parë se kjo do të jetë protesta më e madhe dhe historike në tre dekadat e fundit në Shqipëri.
Ora 13:27 - Dy policë me dëmtime të forta në kokë, lëndohen dhe 4 protestues
Dy punonjës policie kanë mbetur të lënduar nga përplasjet me protestuesit pas çarjes së kordonit rrethues të kryeministrisë. Mësohet se ata kanë marrë dëmtime të forta në kokë dhe në kurriz. Policia njofton se të lënduarit janë dërguar në spitalin e Traumës në QSUT ku po marrim ndihmën e parë mjekësore.
Ndërkohë që katër protestues kanë marrë ndihmën e parë nga ekipet e urgjencës që ndodhen në terren dhe më pas janë dërguar në repartin e Toksikologjise ne QSUT.
Ambulanca dhe ekipet e urgjencës po qëndrojnë në gatishmëri për të dhënë ndihmën e parë mjekësore në rast lëndimi të personave të pranishëm në protestë.
Ora 13:39 - Hidhet sërish gazlotsjellës, maskat antigaz të efektivëve në kordon siç duket edhe nga pamjet nuk kanë funksionuar çka i ka detyruar ata të largohen nga vendi.
Ora 13:54 - Protestuesi ngjitet mbi skelë, thyen dritaren e Kryeministrisë
Njëri prej protestuesve ka hequr një pjesë nga skela dhe ka thyer me forcë dritaren e katit të dytë të Kryeministrisë. Turma u largua nga dera vetëm në momentin kur policia përdori gaz lotsjellës.
Ora 14:12 - Momenti kur protestuesit tentojnë të shkatërrojnë me hekura derën e Kryeministrisë
Ky është momenti kur protestuesit shihen me hekura nëpër duar dhe mjete teksa qëllojnë pa pushim ndaj derës tek Kryeministria. Ata janë larguar vetëm pasi Garda e Republikës e vendosur mbi tarracën e Kryeministrisë, hodhi sërish gaz lotsjellës.
Ora 14:20 - Ish-kreu i Emergjencave në protestë kundër Ramës: Hakiu më zuri vendin!
Shemsi Prenci, ish-kreu i Emergjencave Civile i është bashkuar protestës së opozitës ditën e sotme përpara Kryeministrisë. Ai mbante të 'veshur' një pankartë ku shkruante 'Administrata publike proteston'. Prenci shprehet se protestës i është bashkuar, pasi vendin e punës, të cilin thotë se e fitoi me konkurs, ia zuri ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, që sipas tij duhet të mbajë përgjegjësi për hashashizimin e vendit në kohën që drejtonte.
Ora 15:03 - Protestuesit i vendosin sërish flakën hyrjes së Kryeministrisë
Protestuesit e opozitës i kanë vendosur flakën për të disatën herë hyrjes së Kryeministrisë, ndërsa policia ka reaguar duke i larguar me gaz lotsjellës. Simpatizantët e opozitës i vunë flakët rrjetës të vendosur në hyrjen e selisë së qeverisë duke shkatërruar edhe instalacionet.
Ora 15:23 - Protestuesit i vënë flakën pemës tek Kryeministria
Nuk janë ndalur në vënien e zjarrit tek godina e kryeministrisë. Protestuesit i kanë vënë flakën pemës që ndodhet pranë kryeministrisë. Ka pasur në reagim të menjëhershëmnga brenda kryeministrisë duke lëshuar ujë për fikjen e zjarrit.
Ora 15:58 - Basha përmbyll protestën: Rama nuk hun më legjitimisht nga dera e Kryeministrisë
Pas 5 orësh, lideri demokrat Lulzim Basha ka përmbyllur protestën e opozitës të bashkuar. Do të rinisë sërish të enjten, njoftoi ai.
"Derën e kryeministrisë e bllokoi me duart e tij dhe as do të hyjë e as do të dalë më legjitimisht. të vendosur nga vota e drogës dhe jo e qytetarëve, të jemi edhe më shumë edhe më të vendosur edhe më të bashkuar të enjten e javës së ardhme", u shpreh Basha.
Ora 16:28 - Lleshaj e Veliu falenderojnë efektivët, Prokuroria nis hetimet për dhunuesit
Në përfundimin të protestës së opozitës së bashkuar Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj përmes një postimi në rrjetet sociale përgëzon Policinë e Shtetit. Ai thotë se u bë dallimi, si reagoi policia sot ndaj protestuesve dhe si reagoi në 21 janar të vitit 2011, kur u vranë katër protestues. Ndërkohë që pas përfundimit të tubimit ka nisur identifikimi dhe procedimi penal për personat që goditën dhe sulmuan Kryeministrinë. Në orët në vijim priten edhe arrestimet nga policia.
Ora 17:08 - Kryemadhi: Ditë makthi do vijnë për Ramën, sot iku si frikacak
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi e quajti protestën që opozita mbajti sot si fundin e kryeministrit Edi Rama. Në një deklaratë për mediat një orë pas përfundimit të protestës, Kryemadhi u distancua nga dhuna që shpërtheu në protestë, duke thënë se protestuesit që shkatërruan skelën mbrojtëse në derën e Kryeministrisë.