Kanoset me armë gazetari i Report TV në Laç, Julian Shota

Ora 02:00 - Shpërthim tritoli në derën e lokalit të Llesh Burakut

Dy orë pas mesnatës një shpërthim me eksploziv ka ndodhur pranë derës së lokalit të 53-vjeçarit Llesh Buraku. 

Nga shpërthimi nuk pati persona të lënduar, vetëm dëme materiale 

Ora 07:30 - Gazetari i Report TV niset drejt vendngjarjes

Gazetari i Report TV Julian Shota me grupin e xhirimit nisen drejt vendit të ngjarjes për të raportuar. Së bashku me korrespondentin Shota ishte edhe i ati i tij Preg Shota, i cili punon për një televizion tjetër. 

Ora 07:40 - Gazetari i Report TV kërcënohet nga pronari i lokalit

Gazetari i Report TV, Julian Shota, kërcënohet me jetë në krye të detyrës. Ngjarja pranë lokalit në pronësi të Llesh Burakut në lagjen nr.4 në Laç. Gazetari Shota sëbashku me ekipin e xhirimit të Report TV, ndodheshin në vendin e ngjarjes për raportimin e ngjarjes ku para pak orësh kishte ndodh shpërthim me tritol. 

Fillimisht 53-vjeçari Llesh Buraku ka filmuar me telefon automjetin e gazetarit Shota, duke e kërcënuar se nëse transmeton ngjarjen në televizion do ketë punë me të. 

Duke mos u mjaftuar me kaq, Llesh Buraku ka nxjerrë një armë zjarri tip pistoletë dhe ia ka drejtuar gazetarit të Report Tv, Julian Shota, duke e kërcënuar me jetë.  Siç rrëfen edhe vetë gazetari, në ato çaste kanë ndërhyrë të afërm të 53-vjeçarit, duke i bllokuar krahun për të mos lejuar përshkallëzimin e situatës.

Ora 09:20 – Policia komunikatë për shpërthimin me tritol në derën e lokalit

Përmes një komunikate për mediat, policia njofton për shpërthimin me tritol në derën e lokalit.

 

Njoftimi i policisë për ngjarjen:

Më datë 03.09.2018, rreth orës 02:00, në lagjen Nr.4 në Laç, në derën e jashtme të lokalit " Bar-Kafe" në pronesi të shtetasit Ll.B. vjeç 53, ka shpërthyer një sasi lëndë eksplozive, ku si pasojë ka vetëm dëme materiale. 

Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Materialet proçedurale u referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprën penale " Shkatërrim prone me eksploziv" parashikuar nga neni 152 i Kodit Penal.

Ora 11:00 - Gazetari rrëfen ngjarjen: Mbushi pistoletën e tentoi të qëllojë

Gazetari i Report Tv, Julian Shota, ka rrëfyer momentin kur u kërcënua me jetë nga Llesh Buraku,  pronari i lokalit të cilit i ishte vendosur tritol.

Shota tregon momentin kur Buraku ka nxjerrë armën, e ka mbushur dhe ia ka drejtuar duke tentuar ta qëllojë. Ngjarja e cila mund të kishte përfunduar tragjikisht, është parandaluar falë ndërhyrjes së disa personave të tjerë.

Ora 11:30 - Shoqërohet në polici Llesh Buraku, Prokuroria nis hetimet 

Policia ka ndaluar dhe shoqëruar në komisariatin e Kurbinit 53-vjeçarin Llesh Buraku, i cili kërcënoi me jetë gazetarin e Report Tv, Julian Shota. Pas shoqërimit të tij, Prokuroria ka nisur hetimet për ngjarjen.

Shoqërimi i 53-vjeçarit pas publikimit të ngjarjes nga Report Tv. 

Ora 13:40  - “Në Laç s’të falin kollaj”, Artan Hoxha jep alarmin për Jul Shotën: I rrezikohet jeta! 

Ngjarja e ndodhur mëngjesin e sotëm ku u kërcënua me pistoletë në fytyrë korrespondenti i Report Tv Julian Shota, për gazetarin e njohur investgativ Artan Hoxha është më e rëndë se ngjarja e ndodhur pak ditë më parë me gazetaren Klodiana Lala.

Hoxha thotë se ngjarja me Jul Shotën është nga ato raste kur piskama duhet lëshuar në kup të qiellit, pasi sulmuesi i tij jo vetëm ka emër e mbiemër, por se ai jeton në një qytet si Fushë-Kruja e Laçi, ku nuk të falin kollaj. 

Gazetari shpreh indinjatën e tij edhe për faktin se askush nga politikanët, as kryeministri, as Presidenti por edhe as kreu i opozitës nuk denjuan të reagojnë për rastin e Julianit.

(03/09/2018)