Kuvendi mblidhet vetëm me mazhorancën, opozita bashkohet në Shkodër

Ora 17:00 -  Nisi seanca plenare, të pranishëm vetëm deputetët e mazhorancës 

TIRANË - U zhvillua pasditen e sotme seanca e parë parlamentare pas pushimeve të muajit gusht.

Në këtë seancë ishte e pranishme vetëm mazhoranca ndërsa deputetët e opozitës (PD, LSI dhe aleatë) ishin në një takim në Shkodër siç edhe kishin paralajmëruar.

Ora 17:05 - PD e LSI mbledhje të jashtëzakonshme në Shkodër, mungon Kryemadhi

SHKODËR - Grupi i PD e LSI vendosën që të mblidhen paralelisht në Shkodër në të njëjtin orar që po zhvillohej seanca plenare në Tiranë. Vendimi i opozitës lidhet me ngjarjet e fundit kriminale në kryeqendrën e veriut. Në mbledhjen e cilësuar si të jashtëzakonshme mungonte kryetarja Monika Kryemadhi ndërsa LSI përfaqësohej nga kryetari i grupit Petrit Vasili. Të pranishëm ishin edhe Sali Berisha dhe kryetarja e Bashkisë Voltana Ademi.

Ora 17:07 - Gramoz Ruçi: Misioni i këtij sesioni, kurorëzimi i procesit për çeljen e negociatave

TIRANË - Seanca e parë e Kuvendit për këtë sesion u hap  nga fjala e kryetarit Gramoz Ruçi.

Kreu i Parlamentit u bëri edhe njëherë thirrje palëve politike që të bashkëpunojnë për të shkuar më afër Europës.

Sipas Ruçit, misioni i këtij sesioni parlamentar është: “Kurorëzimi i procesit për çeljen e negociatave të Qeshorit 2019".

Në fjalën e tij, Ruçi përmendi edhe reformën në drejtësi duke u shprehur se ajo do të garantojë zbatimin e të drejtave të qytetarëve.

Ora 17:30 - Taulant Balla: 18 vrasje në Shkodër kur Basha ishte Ministër i Brendshëm në 2010, në 2018-tën vetëm 8-të

TIRANË - Kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla në fjalën e tij në Kuvend është fokusuar tek kriminaliteti në Shkodër dhe akuzat e opozitës për "numrin e lartë të ekzekutimeve". Balla u ndal tek shifrat e vrasjeve të ndodhura në këtë qark duke u shprehur se: “Gjatë vitit 2010-të kur Basha ishte Ministër i Brendshëm vrasjet në këtë qark ishin 18 ndërsa gjatë periudhës janar- gusht 2018 ka pasur vetëm 8 vrasje”.

17:35 – Kreu i PD Basha: Jemi këtu pasi Shkodra është në gjendje lufte!

SHKODËR - Kreu i PD u shpreh se Shqipëria ndodhet në gjendje lufte, pasi po vriten biznesmenë dhe po kërcënohen gazetarë, referuar edhe rastit të sotëm të kërcënimit të gazetarit të Report Tv në Fushë Krujë, Julian Shota. Basha denoncoi se në Shkodër në javët e fundit u rrëmbyen edhe dy fëmijë, por u liruan, pasi grupet kriminale morën gjobën që kishin vendosur.

Gjithashtu Basha i bëri thirrje drejtorit të Policisë së Shkodrës, Vehbi Bushati, të japë menjëherë dorëheqjen nëse nuk është i aftë të kryejë detyrën. Kreu i PD përsëriti se nuk ka asnjë mundësi bashkëpunimi me qeverinë dhe theksoi se e vetmja rrugë është largimi i Ramës për të çliruar Shqipërinë. 

Ora 17:45 - Ministri Xhafaj: Në Shtator-Tetor godasim grupet kriminale, opozita me kauzë të gabuar

TIRANË -  Ministri i Brendshëm Xhafaj në fjalën e parë të këtij sesioni parlamentar u ndal në krimet e ndodhura në veriun e vendit. Sipas Xhafaj shteti është i vendosur t'i shkojë deri në fund krimeve në Shkodër dhe se shumë shpejt autorët do të vihen para drejtësisë ndërsa për opozitën Xhafaj deklaroi se ata luftojnë për një kauzë të gabuar.  

Xhafaj deklaroi se "Jemi në luftë intensive me grupet kriminale, kemi goditur një pjesë të tyre, ndërsa në Shtator e Tetor në sajë të provave që kemi do godasim grupet kriminale".

 

 

Ora 18:59 - Kryeministri Rama: Kur duhet të jetë në Tiranë, shkon në Shkodër. Kur duhet të hyjë në zgjedhje, futet në çadër

Kryeministri Edi Rama reagoi përmes një statusi në Twitter pas vendimit të opozitës për të bojkotuar seancën e parë plenare të këtij sesioni e për t’u zhvendosur në Shkodër ku zhvilluan një mbledhje të cilësuar si të jashtëzakonshme për ngjarjet e fundit kriminale në veri të vendit.

Rama shkruan se kur Basha “Duhet të jetë në Tiranë, shkon në Shkodër, kur duhet të hyjë në zgjedhje, futet në çadër”, por shton se duhet të bëjmë dhe pa të.

Ora 19:02 - Vasili: Mbledhja në Shkodër ‘Jo’ bojkot Kuvendit, por marrëdhënie e kushtëzuar, Rama frikacak

SHKODËR - Kryetari i grupit të LSI, Petrit Vasili pas mbledhjes së opozitës në kryeqendrën e veriut deklaroi se u vendos që marrëdhënia me parlamentin do të jetë e kushtëzuar, por mohoi bojkotin. Ai tha se qëndrimi i përbashkët i opozitës është për të qëndruar përballë qeverisë deri në largimin e saj.

Përgatiti: Antonio Çakshiri/Shqiptarja.com (03/09/2018)