Presidenti serb Vuçiç në Kosovë, pritet me protesta

(08/09/2018)

Ora 14:00 - Vuçiç futet në Kosovë nga Zubin Potok: Kam ardhur për përmirësim të raporteve tona

Kreu i shtetit serb hyri në Kosovë nga Zubin Potok ndërsa u shpreh se ishte i lumtur që ndodhej atje. Ai u ndal tek Liqeni i Ujmanit duke thënë se “Liqeni ka një rëndësi të veçantë për serbët”, ai shtoi se:  “Ka ardhur për paqe dhe përmirësim të raporteve me shqiptarët”.

Presidenti serb komentoi edhe deklaratat për rishikimin e kufijve. Ai tha se Merkel i pengon idetë e tij për Kosovën. “Nuk besoj se kemi mundësi t'i zbatojmë idetë për Kosovën. Keni dëgjuar çka ka thënë Merkel” deklaroi ai. 

"Serbët do të dëgjojnë fjalë që ndoshta nuk do t'u pëlqejnë, por gjithsesi do ta dëgjojnë të vërtetën". përfundoi Vuçiç.

Axhenda

Presidenti Vuçiç do të vizitojë fshatin Banje të Zveçanit paraditen e së dielës, ndërsa në orën 11:15 do të kthehet në veri të Mitrovicë, ku në sheshin Car Llazari do t'u drejtohet serbëve me fjalim. Në orën 13:00 pritet që të largohet nga Kosova.

(09/09/2018)

Ora 06:00 (9 shtator) - Bllokohet rruga që lidh Skënderajn me Mitrovicën

Qindra protestues shqiptarë të Kosovës kanë dalë që nga ora 06:00 e mëngjesit në rrugën që lidh Skënderajn me Mitrovicën, për të protestuar kundër vizitës së presidentit serb në fortesën e luftës për lirinë e Kosovës. Në krye të protestës ishin edhe; deputeti Bekim Haxhiu, kryetari i komunës së Skenderajt Bekim Jashari, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta në Skenderaj, si dhe qytetarë të shumtë.

Për të bllokuar lëvizjen e eskortës të Vuçiç, ata kanë vënë kamionë, goma edhe një barrikadë me dru, të cilës pastaj i kanë vënë zjarrin. Qytetarët u shprehën të vendosur për të mos lejuar kalimin e eskortës së presidentit serb.

Ndërsa në duar mbajnë pankarta ku ishin shpalosur emrat dhe fotot e të vrarëve nga ushtria serbe në luftën e Kosovës për liri.

Ora 10:00 - Kryeministri i Kosovës Haradinaj anulon vizitën e Vuçiç në Skënderaj 

Qeveria e Kosovës ka revokuar lejen për vizitën e Aleksandar Vuçiç në Skenderaj. Kryeministri Ramush Haradinaj ka tërhequr lejen që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç të shkelë në Drenicë, pas protestës së qytetarëve.

Ka qenë vetë kryeministri Ramush Haradinaj i cili ka dhënë lajmin përmes një postimi në Facebook, duke theksuar se siguria e qytetarëve është parësore.

 

"Siguria e qytetarëve është mbi të gjitha. Kam tërhequr lejen e dhënë nga Ministria e Punëve të Jashtme për vizitë të Presidentit Serb në zonën e Drenicës. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë". - deklaroi Haradinaj. 

Ora 10:30 - Vuçiç: Nuk do të anuloj vizitën në Banjë, do provoj rrugë dytësore 

Presidenti Vuçiç ka vendosur të mos e anulojë vizitën në Banjë edhe pas vendimit të kryeministrit Haradinaj.

Sipas mediave serbe, Vuçiç është shprehur nuk i interesojnë protestat e banorëve të Drenicës e as vendimi i kryeministrit dhe se do të provojë të shkojë në Banjë përmes rrugëve dytësore. Nëse një gjë e tillë nuk arrihet, ai është shprehur se do të kthehet.

Ora 10:45 - Barrikada në Skënderaj, ministri serb Vulin: Kemi gati ushtrinë! 

Pengimi i vizitës së Vuçiç në Skënderaj, ka sjellë reagimin e ministrit të Mbrojtjes të Serbisë, Vulin. Ai ka thënë se ushtria serbe do të respektojë vendimet e presidentit të Serbisë, i cili është komandant suprem i saj.

Vulin tha se gjithçka që urdhëron Vuçiç do të zbatohet, duke paralajmëruar kështu një cenim të sovranitetit territorial të Kosovës nga Serbia.

 

"Presidenti është komandanti suprem i Forcave të Armatosura të Serbisë dhe gjithçka që ai thotë do të kryhet. Ai mund të urdhërojë përdorimin e ushtrisë dhe çdo gjë që ai thotë do të bëhet. Ai është ai që do të vendosë për këtë, nëse ai thotë se siguria e tij duhet të garantohet në vendin ku ai dëshiron të shkojë, kjo do të bëhet". tha Vulin. 

Ora 10:50 - Policia e Kosovës ndalon Vuçiçin të shkojë në Skënderaj

Policia e Kosovës ka ndalur eskortën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili tentoi të shkonte në fshatin Banjë të Skenderajt.

Siç raporton “Tanjug”, ka një diskutim mes Policisë së Kosovës dhe Vuçiçit. Raportohet se Policia e Kosovës i ka kërkuar Vuçiçit të kthehet prapa.

Ora 11:00 - Pacolli: Kemi mbështetjen e ndërkombëtarëve

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli në një prononcim është shprehur se vendimi për anulimin e vizitës së presidentit serb Vuçiç në zonën e Drenicës është një vendim i mbështetur nga ndërkombëtarët.

Sipas Pacollit, vendimi është marrë mes tij dhe kryeministrit Haradinaj kjo pasi për ta është shumë më e rëndësishme siguria e qytetarëve të Kosovës.

Pacolli gjithashtu shtoi se krerët e shtetit të Kosovës kanë kontaktuar edhe palën ndërkombëtare duke marrë edhe mbështetje nga ana e tyre. 

Ora 11:30 - Presidenti Thaçi për protestat në zonën e Drenicës: Nuk na ndihmojnë

Me anë të një statusi në Facebook ka reaguar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për protestat që po zhvillohen në zonën e Drenicës.  Thaçi është shprehur se protestat tregojnë që plagët e luftës janë ende të hapura por bllokimi i rrugëve nga ana e banorëve të Drenicës nuk ndihmon.

Ai shkruan se të gjithë duhet të përmbahen në mënyrë që të tregojnë kulturë minimale në mënyrë që të ngrihen mbi plagët dhe dhimbjet e shumta.

Ora 12:30 - Vuçiç nuk shkon në Drenicë, presidenti serb kthehet në Mitrovicën e Veriut

Dështon përpjekja e Aleksandër Vuçiç për të vizituar Skënderajn me rrugë dytësore, pas bllokimit nga shqiptarët të dy akseve që lidhin Mitrovicën me rajonin e Drenicës. 

Vizita e Vuçiç ishte planifikuar në orën 09:00. Presidenti serb u detyrua të kthehej në Mitrovicën e Veriut, duke mos shkelur dot në Drenicë.

Ora 12:45 - Gazetarët Hamiti dhe Morina për ‘Report Tv’: Kërcënimet e Vulin, asgjë serioze; Vuçiç po vijon vizitat. 

Dy gazetarët Lavdim Hamiti dhe Gazment Morina në një lidhje për ‘Report Tv’ kanë raportuar mbi situatën në Kosovë.

Sipas tyre, Vuçiç ka dashur të vizitojë fshatin Banjë, ku edhe banon një popullsi serbe, por si pasojë e një urdhri të lëshuar nga kryeministri Haradinaj dhe protestave në zonë, presidenti Vuçiç nuk ka mundur të shkojë

Sa i përket kërcënimeve të nga ministri i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, se ushtria serbe është gati në çdo çast për të ndërhyrë, gazetari Lavdim Haliti është shprehur se këto deklarata janë vetëm kërcënime dhe asgjë serioze.

Për ‘Report Tv’, Gazment Morina konfirmon se Vuçiç është nisur për në veri të Kosovës për të vijuar me vizitat e tij.

Ora 13:00 – Kryeministrja serbe, Brnabiç: Liderët e Kosovës të papërgjegjshëm, nuk respektojnë marrëveshjet mes dy vendeve

Kryeministrja serbe Ana Brnabiç ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Kosovë.

Agjencia serbe e lajmeve Tanjug shkruan se Brnabiç ka akuzuar liderët kosovarë të cilët sipas saj, janë disa të papërgjegjshëm, që nuk respektojnë marrëveshjet mes dy vendeve.

Ora 13:30 - Anulimi i vizitës së Vuçiç në zonën e Drenicës, BE: Keqardhje për vendimin e autoriteteve të Kosovës

Bashkimi Evropian ka reaguar në lidhje me vendimin e autoriteteve të Kosovës për të mos i lejuar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që të vizitojë fshatin Banjë të komunës së Skenderajt.

Maja Kocijançiç, zëdhënëse e BE-së tha se Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për vendimin e autoriteteve të Kosovës.

 

Ora 13:30 - Vuçiç nga Mitrovica: Nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës

Pas protestës së shumë qytetarëve për të zhvilluar vizitë në fshatin Banjë të Drenicës, presidenti serb Vuçiç ka mbajtur një fjalim para serbëve në Mitrovicën e Veriut në përmbyllje të vizitës së tij dy ditore në Kosovë.

Nga sheshi "Car Llazari" ai i ka cilësuar si gënjeshtra deklarimet se shteti serb do ta njohë pavarësinë e Kosovës ndërsa sipas mediave kosovare ai ka vijuar se: “Nëse dikush ka guximin që ta sulmoj popullin serb në Kosovë, nuk do të hamendësoj asnjë sekondë për t’i mbrojtur ata”.

Ora 14:00 - Presidenti Vuçiç përmbyll vizitën në Kosovë, largohet në Serbi

Rreth orës 14:00 Presidenti i Serbisë Vuçiç ka përmbyllur vizitën e tij dy ditore pa mundur të shkojë në rajonin e Drenicës.

Nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se presidenti serb është larguar nga territori i Kosovës përmes rajonit të veriut të Mitrovicës drejt pikës kufitare në Jarinje.