Rikthim në vendin e tragjedisë në Selenicë, të mbijetuarit të harruar!

Ora 11:00 - Gazetari i Report TV Armand Xhelili rikthehet në vendin e tragjedisë

Kanë kaluar vetëm 25 ditë nga tragjedia e kobshme e Selenicës ku u ekzekutuan 8 pjestarë të së njëjtës familje.

Kujtimi i viktimave mbahet gjallë nga 3 pjesëtarë të familjes, të vetmit që i mbijetuan masakrës. 

Por duket se edhe ata që mbetën gjallë po lihen në harresë. 

Korrespondenti i Report TV në Vlorë Armand Xhelili u drejtua drejt Resulajt, fshatit të masakrës, mesditën e sotëm për të takuar familjarët e mbetur të familjes Zykaj. 

Ora 11:30 - Ariel Zykaj: Vëllai i shpëtoi jetën Ritvanit, pa e ditur se do ishte njeriu që do i shfaroste familjen 

Ariel Zykaj, vetëm 21 vjeç, një nga 3 të mbijetuarit e familjes, me lot në sy dhe jashtë kameras tregon se si e mori lajmin e kobshëm, pasi ai ditën kur ndodhi ngjarja ishte në Greqi.  

 

"Erdhi një grek dhe na tha se e keni parë se çfarë ka ndodhur në Shqipëri, ne direkt e hapëm televizorin dhe pamë që të gjitha mediat flisnin për familjet tona, në atë moment nuk po dija se çfarë të bëja, mu errësuan sytë dhe për një moment më humbi vetëdija. Më pas menjëherë u nisëm për në Shqipëri”. - tregon Arieli

Ai shton se vëllai i tij ka qenë ai që i ka shpëtuar jetën Ritvan Zykajt kohë më parë pasi ai ishte duke u djegur. 

“Vëllai im i ka shpëtuar jetën Ritvanit pasi atij i kishin marrë flakë pantallonat, vëllai i hodhi një pellgaçe me ujë, por nuk e dinte që i kishte shpëtuar jetën një njeriu që do t’i shfaroste familjen”.

Ora 12:30 - I mbijetuari i tragjedisë nuk kishte dëgjuar asgjë pasi është shurdh memec

54-vjeçari Krenar Zykaj i ka shpëtuar mrekullisht plumbave që i morën jetën 8 familjarëve të tij. Në momentin që po ndodhte gjëma në oborrin e banesës, Krenari ishte duke fjetur gjumë. Ai nuk kishte dëgjuar asgjë pasi është edhe shurdh memec. Problem që e ka pasur që në vegjëli, ku pas një temperature të lartë ai ka humbur aftësitë e të folurit dhe të dëgjuarit. Ai sot jeton sëbashku me djalin e tij ndërsa gjendja e tyre ekonomike është shumë vështirë. 

 

I mbijetuari  Krenar Zykaj në banesën e tij në fshatin Resulaj

Ora 12:50  - Komshiu i Krenarit, Virjon Serjana: 54-vjeçarit i hoqën edhe ndihmën ekonomike

Komshiu i Krenarit, Virjon Serjana shprehet se 54-vjeçari që i mbijetoi tragjedisë Krenar Zykaj ka pasur një ndihmë ekonomike, por që edhe atë ia kanë hequr. Tani të vetmit që e ndihmojnë janë kushërinjtë e tij.

 

"Në një periudhë kempi, ato komisionet mjeko-ligjore i dhanë një ndihmë sociale siç jepet për të sëmurët dhe me vonë ja prenë, pa të drejtë". - shprehet fqinji. 

17-vjeçari që i mbijetoi tragjedisë

Albi Zykaj, vetëm 17 vjeç është personi i 3-të që i shpëtoi masakrës. Ai tashmë jeton tek dajat e tij ndërsa çdo ditë shkon te varret e vendos lule, por asnjë ditë nuk qëndron në shtëpinë e prindërve, aty ku edhe është rritur. Ditën e tmerrit ai ishte duke punuar në një lokal si kamerier në Dhërmi. 
 

10 Gusht 2018 / Ora 18:00 - 8 pjesëtarë të së njëjtës familje ekzekutohen nga Ritvan Zykaj 

Pasditja e 10 Gushtit do të ndryshonte tërësisht rrjedhjen e jetës në fshatin e qetë Resulaj. Ishte dita kur fshati përjetoi tmerrin më të rëndë që banorët mbase as nuk e kishin imagjinuar. 

Autori i masakrës Ritvan Zykaj, një personazh i njohur për fshatin. Ai ekzekutoi me gjakftohtësi 8 anëtarë të fisit të tij pas disa konfliktesh ku ai akuzohej si "hajdut pulash". 24-vjeçari pasi zbrazi automatikun mbi trupat e viktimave u arratis përgjatë gjithë natës për tu kapur vetëm në orët e para të mëngjesit të 11 gushtit. 

Ndërkohë në banesën e autorit, Ritvan Zykaj nuk ka më asnjeri, të gjithë janë shpërngulur. Madje edhe gjyshi tij, i cili deri pak kohë më parë jetonte aty, tashmë është larguar. Ndërsa shtëpitë e të vrarëve i ka kapluar heshtja dhe zija, gjallëria e dikurshme tashme është venitur pasi edhe dy fëmijët e familjes që sillnin lumturinë e zhurmën ngazëllyese tashmë i tret dheu.